Është bërë zakon që të bëhen homazhe kur ikin nga jeta njerëz të ashtuquajtur të rëndësishëm që kishin funksione të caktuara në politikë apo shoqëri. Unë po bëj një homazh publik, mbase të munguar, për një njeri në dukje i thjeshtë, por një guximtar i vërtetë në vitin 1990-të në grupin e të rinjëve që më 13 dhjetor në qytetin e Shkodrës dolën kundër regjimit komunist. Ndër të tjera, në këtë demonstratë u rrëzua busti i diktatorit që ndodhej në qendër të këtij qyteti. Rezulton se ky ishte busti i parë i hequr nga monumente të tilla që ndodheshin kudo në Shqipëri. Për ngjarjen e 13 dhjetorit u arrestuan 42 persona, në mes të cilëve edhe Paulin Noshi, i cili u dërgua në gjyq, duke u dënuar fillimisht me vdekje e më pas me burgim në Spaç, ku fatmirësisht qëndroi vetëm disa muaj deri sa regjimi ra.
Djaloshi 30 vjeçar në atë kohë, Paulin Noshi, përveç se rrezikoi jetën e tij nga plumbat që u derdhën mbi të, që vetëm fati e deshi që të shpëtonte dhe më pas dënimin që mori duke e dërguar në burgun më famëkeq në vend, kishte lënë ndërkohë dy djemtë e tij të mitur bashkë me bashkëshorten.
Të dielën zemra e Paulin Noshit pushoi së rrahuri, e parakoshme sa i takon moshës, pasi ishte vetēm 64 vjeç, por mbase e lodhur edhe nga ngjarjet dhe ajo çfarë vuajti në vitet 90-të, por edhe më pas për të përballuar jetesën dhe rritjen e dy fëmijëve me punë të thjeshta e të mundimshme deri sa ata ja shpërblyem me rrugën që morën në jetë.Përveç ndonje dekorate dhe mbledhjes së përvitshme me 13 dhjetor në përkujtim të kësaj date nga vetë protagonistët, askush nga institucionet nuk u kujtua për t’i dhënë një mirënjohje më tepër Paulinit dhe shokëve të tij.
Me 13 dhjetor me siguri do të shohim përsëri ndonjë organizim, këtë herë me një mungesë të shtuar prej protagonistëve të vërtetë…e rëndësishme është të kujtojmë datat, por nuk duhet të harrojmë protagonistët e tyre…ata të vërtetit…
Në foton e parë janë grupi i protagonistëve të hedhjes së bustit. Në foton e dytë një foto që kam bërë me Paulinin në burgun e Spaçit para dy viteve.
Të ndritë shpirti, Paulin Noshi! Më le veç kujtime të mira për aq sa të njoha…
P.S. U mendova dhe u vonova ta bëja këtë status, pasi Paulinin e njoha dhe u miqësuam vitet e fundit, e për shkak të moshës nuk i kam parë nga afër ngjarjet e 90′. Për këtë arsye po dyshoja nëse isha unë i duhuri të thoja dy fjalë të merituara për të… /Nga këshilltari bashkiak i Shkodrës Florian BJANKU, publikuar në Facebook/