Reagimi i profesoratit të universiteteve publike, duke kërkuar një trajtim dinjitoz të statusit të tyre, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar thjesht si çështje interesash vetjake të disa pedagogëve për disa para më shumë. Përkundrazi është çështje dinjiteti, kërkesa që përligjin statusin e tyre në një shoqëri që supozohet e emancipuar. Si mund të ketë arsim të lartë cilësor me profesorat pa dinjitet, të keqpaguar dhe të nëpërkëmbur.
Si mund të pretendohet që t’i bashkohen kësaj trupe akademike truri që po shkollohet në vendet perëndimore?!
Nga ana tjetër protesta për dinjitet akademik është një leksion për veprimin dhe reagimin qytetar për përfshirje dhe ndryshim politikash publike. Studentët dhe qytetarët mund dhe duhet të mësojnë se zëri i tyre është i rëndësishëm dhe ai mund të ndikojë në mbrojtje të drejtave të tyre.
Nëse edhe kjo grevë mbyllet si të tjerat vitet e fundit, duke mos realizuar qëllimin e saj, do të ishte treguesi më i keq për demokracinë në Shqipëri dhe mbase leksioni i fundit i asaj pjese të profesoratit me integritet që e konsideron veten të lirë nga politika.
Nëse ka një zë apo nën zë këto ditë, se nuk duhet të bëhet grevë për paga më të larta, se padagogët kanë para mjaftueshëm nga paratë e korrupsionit që i marrin studentëve, unë refuzoj njësoj me neveri si paratë e korrupsionit nga studentët, ashtu edhe çdo përpjepjeke për të na etiketuar dhe imponuar zgjedhje të tilla. /Nga Florian BJANKU/