Velipoja është plazhi ranor më i madh dhe më i pastër i vendit, por kjo nuk mjafton që të jetë ndër më të preferuarit.Ky plazh, në ndryshim nga ato të jugut, nuk konsiderohet i përshtatshëm për VIP-at që janë shtuar së shumti këto vite. Kryesisht personazhet e politikës që vijnë si triumfatorë votash dhe ato të artit që vijnë kryesisht nga realityshow-et si BB e PP, nuk ekspozojnë pushime nga një vend i tillë.
Bizneset e këtij plazhi që ofrojnë shërbime po mbijetojnë në një sezon që fillon shumë vonë e mbyllet shumë herët, kryesisht me klientë shqiptarë që vijnë nga Shkodra dhe Kosova.
Nga komunikimi me disa nga pronarët e këtyre bizneseve kupton se:
1. Rritja e turistëve të huaj që thuhet se e ka përmbytur Shqipërinë, nuk e ka prekur fare Velipojën.
2. Promovimi për këtë plazh është i pakonsiderueshëm. Jo vetëm që nuk vijnë personazhe si Dua Lipa, por as ato që kanë dalë nga formate si “Përputhen” nuk na preferokan të ekspozojnë pushime të tyre në Velipojë. Kryeministri ka filluar pas 14 majit të hedh ndonjë video, por është e pamjaftueshme, duke e ditur që nuk përfaqëson më të renë dhe trendin si dikur.
3. Të vetmet rritje bizneset konsiderojnë informalitetin dhe pasigurinë në aktivitetin e tyre; pagesat që bëhen “nëndorë” për taksidarët që janë rritur shumë, bashkë edhe me arrogancën dhe injorancën e tyre.
4. Gjetja e punëtorëve sezonal është bërë shumë e vështirë pasi as për ata pak të rinjë që kanë mbetur nuk është trend të punojnë aty.
5. Si rezultat i sezonit të shkurtër, vështirësisë të gjetjes së punëtorëve sezonal, frekuentuesve të pamjaftueshëm, si dhe rritjes së informalitetit administrativ, padiskutim problem kthehet edhe kostoja dhe cilësia e shërbimit të ofruar dhe konkurenca në çmime që shumë herë është e pandershme.
Ky plazh i mrekullueshëm që ndodhet vetëm 22 km nga qyteti i Shkodrës, ka mbetur me shpresën e një tjetër vëmendje sezonin tjetër. Koha për kritikuar dhe për të punuar fillon tani, jo në mes të sezonit siç rëndom jemi mësuar këto vite dhe e cila ka sjellë më shumë dëme se sa përmisime.
Velipoja i takon Shqipërisë, pavarësisht se emrin e ka sllav dhe ndodhet në skajin verior të saj, por që fatmirësisht i ka shpëtuar historisë së trojeve të cunguara. Gjithashtu, i ka shpëtuar deri diku edhe batërdisë së ndërtimeve këto vite, krahasuar psh. me Shëngjinin apo Durrësin.
Kësisoj kjo pasuri kombëtare nuk mund të mbetet e izoluar dhe jashtë vëmendjes, por as të lëshohet lukunia e ndërtimit abuziv si në shumë vende të tjera bregdetare. Shqipëria turistike nuk mund të ndahet mes të kamurve “VIP” dhe të deklasuarve.
P.S. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe i deklasuari është një person që ka humbur tiparet thelbësore të klasës së vet shoqërore dhe lidhjet me këtë klasë, që nuk ka më karakteristikat dalluese të një klase të caktuar shoqërore. /Publikuar në Facebook nga Florian BJANKU, këshilltar bashkiak i “Bashkë Fitojmë”, Shkodër/