Ftesa e para do ditëve për peligrinazhin tek vorri i Dom Ndre Zadejës më erdhi disi e dyzuar. Ajo e mirëfillta, si edhe ftesat e tjera për tek poetët e shkrimtarët e përndjekur e të dënuar prej regjimit, ishte prej organizatorëve, poetëve Rexhep Shahu e Izet Duraku. Një veprim i bukur, një ndjesi e njerëzishme respekti kjo, që ata ndërmarrin për të shtatën herë nëpër Shqipëri, me mbështetjen e mecenatit të kulturës, zotni Flamur Hoxhës. Një grup bukur i madh poetësh, shkrimtarësh e krijuesish, me ndéje (banim) në Tiranë e shumta, po ardhur prej Kukësi a Tropoje, Berati a Pogradeci, Mirdite e Tepelene, Elbasani, Kavaje a Gjirokastre. Ndërsa e dyta, ishte një ftesë e pezmatuar e Zija Vukës. Shkrimtari dhe ditunari shkodran, Zijai, që kishte marrë përsipër prijësinë e pelegrinazhit në Shkodër, pezmin e përcjellë në formë të etertë për gjithë miqësinë e tij virtuale e kishte përftuar në Varrezat e Rr’majit, atë ditë kur kishte shkuar për një vizitë paraprake në përmbushje të sipërmarrjes së vet vullnemirë prej krijuesi, po edhe të përshpirtëshme e të respektshme gjithashtu, për tek varri i Dom Ndresë.
Vorri, i strukun disi në qoshe, mbështetë murit perëndimor të varrezës, një vorr ma se modest, i ribamë e i bekuem në fillimvitin ’91, tashti i mbuluem prej barit dhe i rrethuem me papërkujdesje… Nji papërkujdesje trishtuese për poetin, që e kishte prekë thellë Zijanë. Për poetin, dikur i shënuar bukur mirë në panteonin e poetëve të bashkëkohësisë së vet, në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Njëherëshi edhe dramaturg e polemist e me plot dhunti të tjera. E i thirrun si askush tjetër “Poeti i ambëlcisë”, cilësim ky i përftuar prej veprës së vet letrare në kohëshkrimin e saj… Poeti martir, njëri prej të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare e të Shqipërisë.
Pezmi që ka prekë edhe ndjesitë e tua vjen e të shtohet, nëse rasti të ka rá, bie fjala, me u kthye para pak ditësh prej një vizite në katakombet e famshme të Romës. Se ka një qasje historia e origjinës së tyre të përgjakshme, me historinë tonë modeste. Gjithë ajo histori e tyre e famshme martirizimi të skajshëm, ta ndezullon idenë e përvijuar heret se Krishterimi është një fe e martirëve. Edhe dom Ndreu ynë edhe martirët tanë, martirë të besimit e “njetit” të vetvetes janë, ma së pari. Porse veçoria e tyre, specifikisht e tyrja ndoshta, ka qenë kushtimi i përjetshëm: për “Fe e Atdhe”. E kumti i mbramë i të gjithëve bash në dekikun e fundit para skuadrës së pushkatimit: Rrnoftë Krishti mbret, Rrnoftë Shqipnia”!
Dom Ndre Zadeja është ndër nistarët e kalvarit të mundimeve të martirizimit, përmbas dom Lazer Shantojës (1891-5 mars 1945). Viktima të sprovës së parë të regjimit të pasluftës, i cili në themelet që po hidhte kërkonte sublimimin e gjithësecilit prej atyre, qenia e të cilëve pluskonte dashuri e besim. E shenjtërinë e lirisë për to. Mbartës të dijeve të përkora, shërbestarë pa kushte të fesë e të kulturës. Të përkundërt në idetë me komunistët, qysh në krye të herës, kur ato ide u importuan për herë të parë në Shqipëri. Njësoj, në të njëjtën sprovë që u vunë edhe njerëzit e qëndresës, të papajtueshmërisë së shprehur me platformen e atij rendi e sistemi të përgjakshëm që po ngrihej…
U pushkatua më 25 mars 1945. E diel, e diela e Larit, një javë para Pashkëve. I futur “në rreth të kuq” prej të kuqve, pretekst ishte salikimi (kryerja e ceremonisë fetare e një të vdekuri, te katolikët) që prifti i kishte ba një besimtari të pushkatuar pa gjyq, Tomë Markut, në katundin e Sheldisë, ku dom Ndreu ishte famullitar. Tomës, i cili nuk ua kishte treguar ndjekësve të forcave të ndjekjes emrat e bashkëfshatarëve që ende mbanin armë në shtëpi. Për ironi të fatit fill këtu mbas murit të Varrezave të Rr’majit, ku ai prehet prej aso kohe. U pushkatua vetë i katërmbëdhjeti, me shkodranë e katundarë të katundeve përreth. Me ta edhe Prek Cali, ai malësori shtatnaltë mbi dy metër e ma burrë, që pati dalë në krye të mbrojtjes së kufijve të dheut tonë; para malazezve me pushkë, po edhe përballë Fuqive të Mëdha me mend e urti. E ia pati dalë… Se në saje të qëndresës së malësorëve të primë prej tij, Vermoshi e “Bjeshkët e kuqe” mbetën mbrenda kufijve të Shqipërisë, ku kalkulimet e fuqive të mëdha, shtyrë prej lakmisë së shovinistëve sllavë, i kishin taksur të mos ishin.
Për “Poetin e Ambëlcisë”, rasti më qe dhënë të dëgjoja heret, në kohën e rregjimit të dhunës së epshme. Ashtu nën za, Prekë Ejlli, njeriu im i familjes që e kishte pasë mik fort të dashtun, e përsillte ndër ne jo rrallë emrin e dom Ndresë. Sidomos kur biseda vinte për gjëra të mençura dhe gjithherë fliste me zjermi nderimi për të. Përtej frikës që sillnin asokohe përmendje si këto… Se të përmendje emrin e një meshtari, ishte njëlloj si të përmendje hebrejtë tek nazistët. Ani pse meshtarët shqiptarë qenë atdhetarë me vepra dhe shumica, të ditur fort. Po ai e kishte pasë famullitarin e vet, në vitet e adoleshencës dhe qe mëkuar me ambëlsinë e lirikave të tij, të uratave të muzikueme ase katekizmit në vjersha.
Dom Ndreu qe i shquar mes meshtarëve edhe poetë, që e përdoronin një teknikë të tillë vjershërimi kur lutjet në vargje shkruar prej mjeshtrash, po dhe të thjeshtëzuara, “muzikoheshin”, e kështu përcilleshin ndër besimtarë e në popull. Preka kishte njoftë e shijue faqe për faqe melodramat e tij; ndonjerën syresh kishte pasë rastin edhe me e pa në skenë, si “Ruba e kuqe”, e cila qe shfaqë në Shkoder me 1937. E kështu, pamja imagjinare e poetit e autorit të shënjuem të melodramave, një gjini letrare fort në modë, asokohe, ishte vizatuar edhe tek unë si butësi e dituni, përzjerë me ëmbëlsi e përvujtni. Masandej më vonë, takimet jo të rralla me zotni Lecin kanë qenë sharmi i kujtimeve për dom Ndreun-Poet. Rasti i do emocioneve të epërme ka qenë ai i vitit 1994. Zotni Leci, po përgadiste për botim një librin e tij për të: “Dom Ndre Zadeja-veprat”. Për të kjo punë do të fillonte si përshpirtje për njeriun e gjakut; zotni Leci ishte nipi i tij. E kështu, bashkë me veprën, do të thërmoheshin në libër edhe grimca jete të martirit…
Vrasja e dom Ndreut qe përcjellë me dhimbje të madhe qytetëse në Shkoder. Aktorë amatorë të shoqnisë “Rozafat” vijonin provat për shfaqjen e melodramës “Rozafa” të autorit Zadeja. Lajmi i vrasjes ishte… gongu i mbarimit të shfaqjes, ende pa filluar. Puna u ndërpre. Seminaristi Mark Çuni, në atë frymë hartoi tekstin e nji kange me titull “O male pse s’ushtoni?”, që u kompozue prej seminaristit tjeter Gjergj Lacaj… Autori i tekstit, dy vjet ma vonë do të pasonte fatin e poetit. Kurse autori i këngës, jetoi gjatë e muzikoi gjithashtu. Po elegjinë për dom Ndreun, s’kishte guxuar ta hidhte në pentagram. Asnjëherë. Për fat, diçka prej saj ishte ende në kujtesën e tij. E atë ditë ajo, kujtesa e tij u vu në sprovë… Leci ia kishte mësy me bindje se kënga jetonte ende. Tek autori, ku tjetër… Rasti më qe dhënë ta përjetoja edhe unë takimin e tyre të përmallshëm e… të përvajshëm. I kam parë të dy, ndonëse në moshë të madhe, të përloteshin si fëmijë. Gjergji, “i zënë në faj” me vetveten.
-Nuk kam mujtë me e shkrue kurrë, mor Lec edhe pse me vedi e këndojshe shpesh. Pa za, sigurisht, ma tepër si mërmërimë… Strofën e parë nuk e kam harrue. As refrenin… e kështu kanga u rishkrue aty për aty, tekst e muzikë. Edhe si një requiem për shpirtin e tij…
Një poezi për Poetin e pushkatuar kishte pasë thurë edhe poeti Xhevat Kallajxhiu. Poezia qenka recitue prej vetë atij, dy javë më vonë, me 10 prill të atij viti, gjatë një ceremonie të përshpirtëshm në Kishën e Leuca-s në Messina në Italinë e jugut, në kujtim të poetit të vramë. Kurse vajtojca Tina Marleci, kushrina e poetit, mbas vajtimit që kishte çu peshë mbarë zemrat e të pranishmëve me fjalët e zgjedhuna, të daluna prej dhimbjes së njëmendtë të shpirtit, i kishte zbërthye të vdekunit veladonin tek fyti e të gjithë sa ishin kishin vërejtë se këmisha e tij ishte e arnueme, atëherë ajo ka shpërthye në vaj sërish:
I vorfën si Gurakuqi, dom Ndre, vlla,/K’mishen e arnueme me gjak, dom Ndre vlla!
Prej Shkodre, në Kishën e sh’na Rrokut në Shirokë. Në kujtim të Pader Anton Harapit, në vendin e të parëve të tij. Jozef Shiroka, aktori, stërnipi i tij ishte prijësi e pritësi ynë atje. Se Pader Anton Harapit, ende nuk dihet se ku i prehen eshtrat. E nuk ka nji cak të mbramë ku me u lut për shpirtin e tij e me përcjellë nderimin e meritueshëm për të. /Nga Frano KULLI/