Ma parë e ma dalë , më duhet të bëj me dije paraprakisht se emri Tefë është shkurtim i emrit Stefan e Shtjefen . Kështu thirret në Shkoder e rrethinat e Nenshkodres deri në Lezhë, ky emër , e do të tjerë si ky, prejardhja e të cilëve vjen prej emra shejtnish të besimit katolik përshtatë në shqip. Prej shumë e shumë kohësh kështu… E ceka shkurtazi këtë moment me sqarue, për ata të cilët është i nevojshëm ky sqarim , se me Tefa , pa pasë nevojë me i thirr mbiemrin , Shkodra e derisotme, të paktën , po edhe Shqipëria njeh kështu Shtjefen Palushin.
Karikaturistin dhe komikun e madh , një emblemë e pangjashme me asnjë tjetër të qytetit të Shkodrës , po për më shumë se kaq një nukël (bërthamë) e opozitarizmit qytetës shqiptar , nën dhunën e përdhunës , përreth të cilit, në formën e anekdodave e barceletave përmblidhej e qarkullonte masandej i gjithë dufi kundërrregjim, në të shkuarën tonë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të . Qarkullonte nëpër fasho gazi dhe të qeshure, nëpërmjet ” buzëve të ngrira në gaz ” , siç do të nënvizonte një bashkëqytetari i Tefës , poeti hermetik Zef Zorba , që me të vetmin libër të tij la një gjurmë krejt të përvetçme në poezinë moderne shqipe.
Humori , kjo lëndë krejt ” bio ” pa pasë nevojë për konservant . Edhe Stefan Çapaliku , një emër i spikatur sot në letrat shqipe , në Shkodren e tij , prej nga vjen , thirret Tefë. Në emër të gjyshit e të dy në emër të pajtorit të qytetit të Shkodrës , Shën Stefanit , Shën Shtjefnit . Kurse në mes të të dy Tefave të shkrimit tonë është kolana ” Imago e verbum “. Një kolanë librash monografikë i Çapalikut, që zë fill në vitin 2020 dhe vijon e plotësohet në harkun kohor të jo më shumë se dy viteve me ” Pjeter Gaci “, muzikanti , nyje e fortë e historisë së muzikës së kultivuar në Shqipëri , me ” Renzo Collura – një artist i humbur në Shqipëri ” , një piktor italian i gjendur në Shkodër e Shqipëri në mbarim të luftës së dytë , i humbur për 6-7 dekada dhe i rigjetur prej gjurmëve artistike që paska pasë lënë në Shkodër e Durrës në atë pak kohë deri në deportimin në vendin e vet , në Itali , ” Serafin Fanko – felini i teatrit shqiptar ” dhe më i fundit ” Shtjefën Palushi më vete e me të tjerë-Tefa “.
Kaq kohë kanë dashtë të shkruhen, por ky është vetëm momenti i hedhjes së lëndës në letër. Në mjaft pak kohë, vetëm dy vite e gjitha kjo. Po, përjetimi i gjithçkaje do të shkruhej është mjaft më e gjatë , e gjatë sa vetë mbamendja e qytetarit Çapaliku, mbamendja e iluminuar por dhe e begatuar e shkrimtarit dhe puntorit të kulturës më të spikatur të Shkodrës së sotme, Çapaliku me dashuri të pafundme për qytetin e sidomos për atë pjesen e vet vezulluese që është e pakrahasueshme me asnjenin prej qyteteve tona. Dhe mbamendja , nëse e barazojmë me kujtesën i tejkalon kujfijtë e një personi e të përherëshmërisë së përkohëshme të tij së paku edhe me dy breza të tjerë përpara tij; të brezit paraardhës , atij të babës e të mëpërparshmit , atij të gjyshit.
Me merakun për ta sfiduar pamëshirën e kohës që prodhon me teprí harresen. Dhe atij i duket se harresen për gjithçka vezullese të Shkodres , e kanë stimuluar sistematikisht me hormone djallëzie , udhëheqësítë e Shqipërisë. Ata s’e kanë dashtë kurrë e se duan vezullimin e Shkodres. Ata që ikin e ata që vijnë. Vezullimi i Shkodres iu vret sytë dhe , ndaj si kurë mbrojtëse përdorin syzet e errëta të harresës. Posë mjeteve të tjera të dhunëshme siç ka ndodhë në kohën e ndalimeve të mëdha dhe lirisë së kufizueme. Thua për këtë lajtmotiv vjen kjo ndalesë e Çapalikut ? Unë besoj se bash për këtë ai, ” tuj gërmu n’do rraqe t’vjetra ” e në biseda të kandëshme ban e na i sjell gangull këto relike të çmueshme të jetës sonë qytetëse. Në një formë të re e stil të zhdërvjelltë përshtatshëm për receptorët e sotëm të leximit e shijimit.
Edhe pse nuk janë pjesë e kolanës ” Imago e Verbum ” , kisha me rreshtue këtu për nga lënda shkrimore dhe teknika e shkrimit gjithashtu edhe dy antologji ; ” Antologji e jetës ” me 150 barceleta të zgjedhura dhe “antologji e vdekjes”, ku përfshihen poezi të zgjedhura me këtë motiv të autorëve të njëmendtë e fort të zëshëm shkodranë , po një syth i librit është edhe historia e Varrezës së Rr’majit , unikale në Shqipëri për zanafillën e saj , një shekull e gjysë më parë sikundërse kontemporane (bashkëkohore), gjithashtu.
I fundit për nga radha e shkrimit , vjen libri për Tefen , por i pari i të parëve për diçka tjetër më të madhe shumë. Sipas autorit kështu…
-Nuk më ka rrethue kurrë ndonjëherë ma parë një entuziasëm dhe solidaritet ma i madh në shkrimin e një libri se kësaj here. E kush nuk më asht ofrue për ndihmë e kush nuk asht gëzue kur e mori vesh…- nënvizon ai në parathanien e librit . – Sikundërse pati edhe të tjerë, që me sjelljen e vet vertetuan proverbin e moçëm latin “Nemo propheta in patria” (Nuk ka profet në vendin e vet) , por që, nuk ia lëndon a lëkund aspak e nuk ia mpak adrenalinën e prodhuar në këtë çast shkrimor. Dhe unë besoj se nuk është një përshtypje e dosidoshme e s’ka sesi të jetë , për një autor të një dyzine me libra të të gjitha gjinive ; të poezisë , estetikës , dramaturgjisë , tregimit e romanit dhe , në dy më pezantet (më të peshueshmet) prej tyre, i mirëpritur e mjaft i njohur mbrenda dhe jashtë vendit, përkthyer e soditur në gjuhët më kryesore të Europës, jo vetëm frëngjisht, anglisht , gjermanisht e italisht, por edhe në ato sllave, në katër a pesë prej tyre.
2)
Nëqoftëse në gjithë krijimtarinë e vet të begatë letrare, S. Çapaliku i sjell letërsisë së sotme shqipe “magmën” e nëntokës së kujtesës qytetëse të përpunuar në laboratorin e vet krijues , të copave më pikante të jetës qytetëse shqiptare dhe kjo mund të thuhet me gojën plot për trilogjinë romaneske ” Secili çmendet simbas mënyrës së vet ” , po edhe për romanin ” Mbyllur për pushime ” dhe në mënyrë edhe më specifike për romanin më të ri, të sapodalë nga shtypshkronja , ” Një engjëll veshë me frak ” , për kolanën ” Imago e verbum ” mund të thuhet se ajo është destin-o (fati , e thëna) i plotësuar i dishirit të paepun për të rrëfyer jetën e një qyteti të rrallë ku reflektojnë të gjitha ngjyrat e ylberit, me shikimin vrojtues drejtuar gjithëherë nga perëndimi .
Një mënyrë e veçantë , jo e zakonëshme rrëfimi , me të dy mjetet kryesore të rrëfimit ; me fjalën dhe me pamjen , ku herë njëra dominon tjetren , po gjithëherë e dyta është komplementare e së parës ; fotoja, skica, grafika, faximile-ja plotëson të parën – fjalën . Fjalën e shkruar , natyrisht . (Se , jo më kot thoshin latinët “Scripta manent verba volant”) . Dhe tek libri për Tefën , autorit i vjen dhuratë tredimensionaliteti krijues i mjeshtrit, siç ai vetë i cilëson në kapitullin ” Fenomeni antroplogjik i quejtun Tefë : “Ma së pari kena Tefen karikaturist…Pra kena Tefen si artist i aftë për të ndërtue karaktere ; së dyti Tefa qe ilustrues i krijimtarisë së të tjerëve , pra një person që ia delte ma së miri të kryente aktin hermenutik të shndërrimit të një mediumi në një tjetër dhe së treti; Tefë Palushi qe skenograf i papërsëritshëm…” Dhe ky deduksion autorit i vjen prej të dhënave të gjenit të Tefës të eksploruara me imtësi , të cilat , ai i sistemon sipas kritereve që përcakton punën hulumtuese të një njohësi të hollë të studimeve letrare e artistike, nën dritësimin që të jep estetika si çelës që hap dyer të harmonisë së elementëve artistikë. E që Çapaliku-akademik e njeh mirë, si rrallë kush tjetër.
3)
Diku tjetër, në këtë syth ai e cilëson Tefen një “homo urbanus”, pra njeri i qytetit , qytetar . Njeri i spikatur i qytetit . Dhe nuk është se vërehet ndonjë ngulmim a spikamë e Tefës për të hyrë në vëmendjen e qytetit. Besohet se vetë vëmendja e qytetit është ndalë vetvetishëm tek Tefa . Se vëmendja e hollë e atij qyteti , asesi nuk mund të ndalej dokudo e vend e pa vend. Ndalej se ai qe “burim i pashterrshëm i batutave , situatave humoristike , anekdodave dhe barceletave që lindnin dhe shpërndaheshin…te të tjerët “. Shpërndaheshin e thitheshin prej të tjerëve me një frymë e prap shpërndaheshin te të tjerë e të tjerë . Aq sa , barceleta të bukura e të pëlqyeshme fort ” që ishin mbi mesataren e inteligjencës , dilnin në Piacë e kërkonin autor ” i visheshin Tefës edhe kur nuk ishin të tijat.
Dhuntia e talenti që Zoti ia kishte falë pa kursim ishin garánti për gjithsa ndodhte.
Tefa qe një bard – thekson diku tjetër Çapaliku – një intelektual i shqetësuem , një zadhanës , që në pamje të parë asht i bamë rrafsh me njerzit e tjerë të ” tavernës ” , por që në fakt krijon dhe gëzon të gjithë distancën e nevojëshme për të vëzhgue e mbajt qëndrim të ashpër ndaj botës. Një nënvizim , që të krijon asosacion të arsyeshëm , mendoj , me atë nënvizimin që bënte Lasgushi për Fishtën ; meditans e militans [ëndërrimtar dhe luftarak]. Që , besoj se s’ka kuptim tjetër përposë se është cilësia e do pak njerëzve gjení , që dhuntinë e dhanë prej Zotit jua dhurojnë njerëzve me dashni e përshpirtni të pafundme.
Një shërbesë e mençme dhe e devotëshme , të cilën po e bën mirë edhe Tefë Çapaliku , për qytetin e vet të çmuar e të dashur , për qytetarinë , për kohën që jetojmë, si një dëshmitar besnik e fisnik i saj e sidomos për mbamendjen qytetëse që mos me e lanë me u bjerrë. Kërkesë kjo, në nevojë më shumë se kurrë sot, kur përposë se keqdashjes absurde të udhëheqësive tona ndaj kujtesës sonë që është vetë idenditeti ynë kombëtar , ajo kërcënohet edhe prej ” mortajës ” globaliste , e pamëshirëshme për fashitjen e shbërjen e tij. /Nga Frano KULLI/