Piktorve të mëdhaj si Pjerin Sheldija asht e vështirë me Ju dijtë mosha! Të punojsh mbi 200 afreske në Shqipni, Mal të Zi, Kosovë e Angli, nuk asht aspak gja e vogël, asht një thesar i madh i artit nga peneli i Pjerin Sheldisë. E mos harroni se edhe Pjerin Sheldija ka kalue telashe të mëdha gjatë asaj kohe kur shosha e Sigurimit vazhdonte shoshitjen në rininë shkodrane.
Me Pjerin Sheldinë mbyllet edhe koha e breznisë së paharrueshme të një vargu piktorësh që vështirë se i vijnë ma Shkodrës tue fillue nga Ferdinand Paci, Jakup Keraj, Ndoc Gurashi, Ismail Lulani e sa të tjerë, tue mos harrue skulptorë, shkrimtarë e artista që kanë lanë gjurmë n’at qytet, ku arti i pikturës asht i vjetër me sa e sa shekuj vepra arti të mrekullueshme.
Piktori Pjerin Sheldija gjithnjë do të kujtohet edhe për qëndrimin e tij të një Burri që nuk njifte gjarpnimet e kohës, por gjithmonë tue ruejtë tabanin e traditave të vjetra të Burrnisë, Besës dhe Bujarisë, tradita shkodrane që edhe pse u punue një gjysë shekulli me i shpartallue ato, ka pasë atëherë dhe ka edhe sot, nga ata që i ruejtën ato tradita të rranjosuna në Shkodër.
Koha asht dishmia ma e sakta e ruejtjes së atyne visareve të çmueshme. Për ata që i ruejtën virtytet e pastërta në Shkodër gjithmonë koha ka me i pasë në memorien e vet të kujtesës, e në kjoftë kush ndër vendet e para, asht e ka me kenë gjithmonë nder të parët piktori ynë i paharrueshem Pjerini.
Besoj e kujtojnë ata pak shokë që janë në Shkodër qendrimin burrnor të piktorit Pjerin Sheldija ndër mbledhjet që organizoheshin në shtëpinë e kulturës: Gjithmonë i matun, i pjekun ndër mendime dhe asnjëherë randues i shokut, kjoftë mik ose jo. Pjerin Sheldija ruente korrektesën me fanatizëm.
Askush nuk besoj se ka pasë rastin me u randue nga ky Burrë fisnik i yni. Ai ishte i brumosun me cilsitë e moralit shkodran ku ishin ma fisnikët dhe ma të çmueshmet, që ruheshin e trashigoheshin me kujdesin ma të madh.
Dij me thanë sot që Pjerini nuk jeton ma, i kishte të rrallë Shkodra burrat si Pjerin Sheldija, po gjithmonë me shpresë se i ka trashigue virtytet e veta.
E gjithmonë ndër këto rasa i drejtohemi shoqeve të jetës së tyne, ku shpresa nuk venitet kurrë si tek Zonja Maria e Pjerinit tonë të dashtun. Pjerin Sheldija me veprat e veta t’artit ka hy në galerinë e Pavdeksisë n’art!
Ai do të kujtohet gjithmonë si artist i madh, po edhe si një shkodran i nderuem dhe gjithmonë i pranishëm për fisnikinë e tij në pikturë e n’jetë. Pjerin i dashtun, jam shumë larg sot, kur duhet me kenë shumë afër Teje, po Ti e beson se unë sot, jam ma pranë se asnjëherë me Ty! Ishim miq! E largësia nuk paska të bajnë aspak ndër këto ditë! Ashtu si dikur ndër ata ambjente të bukra të Kështjellës Rozafat, ku gurtë e saj i shifshim me andje.
Ashtu si Ata, do të kujtoj gjithmonë edhe ty Mik i dashtun Pjerin Sheldija! I përjetshëm asht kujtimi i portretit tand fisnik e burrnor! /Nga Fritz RADOVANI, Melbourne, 31 gusht 2022/