Në kqyrjen e parë të duket si nji fotografi normale e nji rituali fetar që ndodh kudo në botë me të krishtenët, porse kur nis e i zbulon dy personazhet, aq të ndryshëm në dukje, zbulon të përbashkëta mahnitëse…
Kështu, dashje pa pashje, këto dy shkodranë bahen pjesë e padukshme e historisë së nji qyteti dhe e nji qytenimi. E përbashkëta e madhe të bjen si rrufe:
Të dy këto personazhe të qytetit janë denu me vdekje: si ai që po bekon ashtu edhe ai që po e merr bekimin!
Mbi të dy këto persona vdekja ka pritë me “kosë në dorë”, në kuptimin real të fjalës, derisa t’ ua merrte jetën…
Mbi të dy këto persona janë shtri duer nanash e grash, zojash e zojushes, burrash e fëmijësh e janë lutë për mos me vdekë…
Mbi të dy këto kanë ndodhë mrekulli që i kanë kthye në jetë…
Dora vrasëse ka qenë e njëjta: diktatura komuniste enveriste!
Frano Illia u dënue me vdekje, pushkatim e priti tri javë ekzekutimin derisa erdhi vendimi i shndërrimit në 25 vjet burg.
Harris Murana e mori plumbin mespërmes krahnorit me 2 prill 1991 e vdekja ndejti tri jave me rradhë tue e pritë derisa jeta triumfoi mbi te. (I kam thanë Harrisit në mirësi se ndër të tjera edhe Katerina Murana të ka mbajtë në këtë jetë me atë mënyrën e mistershme të shpirtrave njerëzor: Lutjen intensive.)
Prandaj sa herë që i ndeshi këto dy persona, simbol të mbijetesës së qytetit të Shkodrës në këtë foto së bashku, emocione gati mbinjerëzore më pushtojnë. Frano Illian e dënuen me vdekje, Harris Muranën e qëlluen për vdekje!
2.
Unë i njof të dy personalisht: Arqipeshkvin Frano Illia e kam njoftë si karakter njerëzor, në urtësinë, maturinë, shpirtin e butë e të qëndrueshëm njerëzor. Harrisin e kam njoftë në moshën e tij ma të mirë, plot temperament e inteligjencë, trashëgim të prindërve fisnikë e vullnetit të tij.
Me ardhjen e demokracisë, Frano Illia u shugurue arqipeshkvi i parë shqiptar, ndërsa Harris Murana megjithë poetencialin e tij iintelektual e njerzëor nuk u afru në asnji post drejtimi nga asnji qeveri, e tash së fundi drejton Shoqatën “2 Prilli”, vullnetarisht…
Të dy këto persona të qytetit tim e kanë mbijetu vdekjen, njashtu siç e mbijetoi Shkodra diktaturën komuniste e siç ka me mbijetu edhe të keqen që e ka marrë sot në dore më korrupsionin, mungesën e shtetit ligjor, e tallavane institucionale.
Frano Illia & Harris Murana mbesin nji simbol i papërkulun i përjetsuem në këtë foto të synit të fotografit shkodran, i cili ndoshta nuk e ka dijtë se po ban kështu shkrepjen e shekullit… /Nga Gjergj Jozef KOLA, publikuar në Facebook/