2 Prilli 1991, beteja e vetme dhe e vërtetë e luftës për demokraci ku u humbën jetë dhe u derdh gjak. Beteja që iu dha krahë shqiptarëve, beteja që realizoi ëndrrën 50- vjeçare dhe iu mbushi mushkëritë me aromën e lirisë. Ndër vite kjo datë është përkujtuar me zemër e me shpirt nga e gjithë Shkodra, me keqardhje jo nga e gjithë Shqipëria si pasojë e vendosjes së “sinoreve politikë” apo sepse gjithmonë “udhëheqësia” ecën mbi parimin “vleresoj vetëm gjërat që bëj unë, e nëse e bën dikush tjetër nuk vlen”. Kështu është parë “2 Prilli” nga udhëheqës e liderë për 30 vite…
Unë që kam qënë pjesë e çdo përkujtimore ndjeja plagën të më cimbiste nga dhimbja sa herë shihja fytyra njerëzish që “pameritueshëm” prinin kortezhet e “2 Prillit”. Fytyrat ndërroheshin çdo vit, por çuditërisht buzëqeshjen e kishin të njëjtë, të akullt, të pandjenjë, në mëndjet e tyre ato fraksione sekondash bëheshin përllogaritjet në kishin fituar dhe ca më shumë përkrahës.
Për 3 vite ne krye të shoqatës “2 Prilli” kam pasur një vizion e qëllim, ta lartësoj këtë ngjarje mbi palët, mbi ngjyrat politike, mbi interesa rrogëtarësh, por gjithmonë pa i cënuar asnjëherë “Markën e Demokracisë”.
Mesa duket, të infektuar nga sjelljet e politikanëve, hienave dhe lëtyrave që na udhëheqin edhe ne njerëzit e thjeshtë kemi filluar t’ ju ngjasojmë atyre, dhe pse xhepat tanë janë përsëri bosh…
Kështu iku dhe 2 Prilli 2024. Ca deputetë mbajtën rishtaz flamujt e protagonizmit, ca të ndarë e pastaj të ribashkuar “lanë mëkatet” me prezencën, ca individë u siguruan se familjarët e tyre nuk do lëvizin nga puna, ndonjë kryetar dha dorëheqjen (më e parëndësishmja nga të gjitha), ndonjë tjetër kryetar ndonëse donin ta ndalonin e kreu ritualin e vendosjes së kurorës, ca pragmatistë kësaj rradhe ia pasuan tjetërkujt vendosjen e tufës me lule në përpjekje për mos tu dukur në krah të “dikujt” nga frika e “dikujt tjeter”.
Iku dhe ky “2 Prill”, për të cilin “shumica” nuk do kujtohet deri kur për pragmatizëm do kremtojnë e përkujtojnë atë të rradhës… Ndërkohë sa herë ndërron moti mua më dhemb gjoksi i sakatuar nga plumbi, e sa për shpirtin më mirë po hesht… /Nga Harris MURANA/