Shumë shekuj përpara mbi këto male, pyje e lugina fluturonte e jetonte një Shqiponjë! Një çunak, gjahtar i njomë i fiseve të atyre trojeve kreshnike, shihte me admirim atë shpend krenar kur shpesh, pezull me krahët madhështorë mbulonte diellin.
Një ditë ai pa shqiponjën që kish mbërthyer në kthetrat e saj një gjarpër, ajo fluturoi mbi shkrepa në folenë e saj, lëshoi aty zvarranikun dhe rishtaz iu kthye fluturimit.
Djaloshi kureshtar ngjiti me mundim malin dhe si ju afrua folesë, pa zogun e shqiponjës që lozte me gjarprin pa shënja jete. Por zvarraniku nuk kish ngordhur, ai hapi sytë dhe u sul të kafshonte trupin e brishtë të zogut, çunaku gjahtar me shkathtësi hapi harkun dhe lëshoi shigjetën në shënjë, vrau zvarranikun dhe shpëtoi zogun.
Ai e mori zogun e vogël, si trofe të betejës me gjarprin dhe ngadalë zbriti malin dhe u nis për në shtëpinë e tij. Tek ecte dielli u mbulua dhe ai pa mbi kokën e tij shqiponjën nënë që klithte t’ja kthente zogun;
– Zogu tani është i imi, tha djali, unë e shpëtova nga gjarpri që ti nuk ishe kujdesur ta vrisje mirë…
Atëherë shqiponja i tha;
– Të lutem kthema zogun, unë do të jap mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi…
Djali pranoi dhe ia ktheu zogun. Vitet kaluan dhe çunaku u rrit e u bë burrë, shqiponja i rrinte përhera mbi krye teksa ai me hark e shigjeta gjuante e vriste kafshët në gjueti dhe me shpatë vriste e priste armiqtë që mësynin ato toka, duke u shquar për trimeri e zgjuarsi…
Armiqtë e miqtë e tokave përreth tek e shihnin në beteja e gjueti me shqiponjën gjithmonē mbi krye e quajtën,
Shqiptar (bir i shqipes)
kurse tokën ku ai jetonte,
Shqipëri (toka e shqipeve) /Përshtati Harris MURANA, publikuar në Facebook/