Dëshira për të patur pozita fuqie dhe komandimi është në simbiozë me individin që ndjen një nevojë të thellë për tu dukur, atij duhet ti njihen talentet, ti ndjehet nevoja për atë që mund të bëjë dhe kontributi për çka mund të japë. Gjasat janë vërtet që në start ky individ të ketë një mendje brilante, karizëm, empati me turmën dhe shpesh edhe elokuencë të fortë.
Besoj se nga mënyra e të menduarit ai percepton se vendi apo ofiqi të cilin synon, i takon për merita të veçanta, dhe kështu është e drejtë.
Shpesh një individ si ky që ka etje pushteti e sheh dhe e ndan botën në dy mënyra: fitues dhe të mundur. Në subkoshiencë ai hyjnizon veten duke deliruar se “nuk është zgjedhje e rastësishtme”!
Ky individ me kohën harron të përdori cilësitë që ka për të mirën publike por i përdor në betejat brënda dhe jashtë llojit për të qenë gjithmonë mbizotërues.
Ky lloj individi nën “dehjen” e prozhektorëve ngarkon mbi shpatullat e tij dhe detyrat dhe përgjegjësitë e të tjerëve sepse të fituarit në grup në sytë e tij nuk do ishte “fitore”.
Kur ky individ fiton, rrëmben apo i dhurojnë rol lidershipi, tendencat janë që me kohën të bëhet autoritar dhe herë herë despotik.
Frika se mund të humbë të qënit “i pari” , frika e të mos qënit më para prozhektorëve e bën të humbë busullën dhe të harrojë motivet se përse është zgjedhur, votuar dhe bërë lider.
Kujtesë:
Koha ka treguar se asgjë nuk bën më kompakt një grup sesa dëshira dhe nevoja për të rifutur në vath apo për ti bërë ballë dhe për ti treguar vendin nje lideri despotik. Me kohën kjo kthehet në një luftë të “së gjithës” me “unin”. Në të tillë luftë “uni” izolohet gjithnjë e më shumë, ai mbledh e krijon një oborr lakejsh “yes mean” dhe në vazhdim veprimet, reagimet dhe vendimet e tij priren të jenë gjithmonë e më radikale.
Yung thotë:
Luftëtari është një hero që po përgatitet të bëhet mbret…
Qëndron në karakterin, formimin, intelektin dhe shpirtin e tij, forca e individit për tu bërë një sovran i dashur dhe i begatë për nënshtasit e vet apo një tiran mizor.
Midis:
-Të më kenë frikë dhe të më përulen!!!
-Të më duan, dëgjojnë dhe respektojnë!!!
Unë do zgjidhja gjithmonë këtë të dytën, por unë mbetem thjesht një zë i lirë që bërtet të vërtetat e tij në shkretëtirë… /Nga Harris MURANA, publikuar në Facebook//