Këtë vit Shqipëria ka përjetuar një fluks turistësh nga vende të ndryshme, përfshirë dhe vetë kryeministen e Italisë. Ky fakt nuk mund të lihej pa u përdorur si publicitet nga ana e qeverisë dhe për pasojë “boomi-i turistik” u shoqërua me një sërë kronikash të dedikuara në media.
Ndër to ishin dhe kronikat për të ashtuquajturin turizëm kulturor, i cili zhvillohet kryesisht në zona e qytete të pasura me objekte kulturore si parqe arkeologjike, rrënoja, godina të tjera të rëndësisë së veçantë etj. Me mijëra vizitorë, vendas e të huaj, janë njohur me historinë shqiptare nëpërmjet vizitave të tyre në monumentet e kulturës në mbarë vendin.
Por me sa duket, kjo ka qenë vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, mbetet e errësuar dhe
shumë pak qytetarë janë plotësisht të ndërgjegjësuar për të. Bëhet fjalë për dhjetëra monumente
kulture, me status mbrojtjeje, të cilat lëngojnë prej vitesh si pasojë e mosndërhyrjes dhe lënies
pas dore nga shteti. Javë pas jave, gazetarë dhe qendra të pavarura të trashëgimisë kulturore në
mbarë vendin raportojnë për site arkeologjike, objekte kulti, vepra infrastrukturore, të ngjashme
me Urën e Zogut e shumë e shumë kategori të tjera që neglizhohen ditë pas dite dhe, pavarësisht
thirrjeve të aktivistëve e ekspertëve të fushës, Ministria e Kulturës nuk e vë dorën në zjarr.
Jo më larg se një vit më parë, Qendra Amfora në Durrës botoi një artikull investigativ mbi
monumentin e kulturës së Kategorisë së Parë “Muret e Portës” në Porto Romano të Durrësit.
Këto rrënoja arkeologjike të shekullit V ps.K. mbroheshin qysh nga viti 1948 me një status të veçantë. Megjithatë, pas një koncesioni të miratuar në vitin 2015 dhe të rinovuar në vitin 2020 mes kontestimesh e kundërshtimesh të numërta, monumenti u prek nga ndërtimet e një porti hidrokarburesh nga kompania “Porti MBM”, pjesë e “Kastrati Group”, kompani e preferuar e qeverisë shqiptare për favorizim në tendera, koncesione dhe kontraktime të ngjashme. Edhe pse vetë Ministria e Kulturës, nëpërmjet një vendimi të sajin ka miratuar një perimetër sigurie për monumentin ku ndalohen rreptësisht ndërhyrjet apo punimet pa leje të posaçme, në vitin 2022 kompania rrafshoi 25 metra nga 60 metra të mbetur të rrënojave arkeologjike. Jo vetëm kaq, por dhe pjesët e mbetura të murit linear janë në rrezik nga lëvizja e mjeteve dhe makinerive. Në momentin kur institucionet, pasi janë vënë menjëherë në dijeni nga qytetarët, duhet të ndërhynin në mënyrë emergjente, ndodh e kundërta. Ato bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh në momentin kur preken interesat e ngushta.
Në raste të tilla është dashur shpeshherë ndërhyrja e organizatave e shoqërive europiane ndërkombëtare për ndërgjegjësimin e institucioneve. Rasti më i freskët është ai i Urës së Zogut, vepër infrastrukturore me rëndësi të veçantë e me moshë afro 100-vjeçare e cila kishte degraduar e çeduar nga prurjet e lumit Mat, njëkohësisht prekur dhe nga punimet e paligjshme për grumbullimin e inerteve në shtratin e këtij lumi. Në fillimvitin 2023, për Urën e Zogut u miratua një plan ndërhyrjeje, në bashkëpunim me aktivistët e zonës të cilët u angazhuan për përfshirjen e monumentit në programin “7 Most Endangered 2022” (7 më të rrezikuarat) të organizatës Europa Nostra. Megjithatë, plani mbetet ende në sirtarët e Ministrisë së Kulturës për t’u zbatuar.
Këto monumente kulture, të cilat u përkasin epokave dhe metodave të ndryshme të ndërtimit, janë vetëm dy nga monumentet e pafundme në Shqipëri që përballen me këto sfida. Nga Tropoja në Sarandë janë me dhjetëra objekte të ngjashme e nuk do të mjaftonte një artikull i vetëm për të nxjerrë në pah problematikat e shumta me të cilat ato përballen: rreziqet e kanosjet nga të papërgjegjshmit dhe jo vetëm. Mjafton një kërkim minimal dhe lehtësisht mund të zbulohen xhevahire të trashëgimisë kulturore, simbole të identitetit dhe historisë sonë kombëtare, “të vetmuara” dhe të lëna në mëshirë të fatit si pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së koordinimit.
Jam besimplotë se asgjë nuk do të mbetet me kaq: fatmirësisht fryma e angazhimit civil ndihet dhe do të arrijë ta ngrejë zërin për mbrojtjen e identitetit dhe historisë kombëtare shqiptare. /Nga Heldi KODRA, anëtar i Europa Nostra/