A i takon Lulzim Bashës të jetë Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë? Le ta gjykojmë thjeshtë dhe ftohtë. Në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh ashtin kushtetues, atë që presupozon se Presidenti i Republikës është modeli i unifikimit. Ndërkohë që, Presidenti i Republikës është edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Pa iu futur të tjerave, mbi emërimin e Prokurorit apo dekretet presidenciale etj.
Po qëndrojmë tek unifikimi dhe Komandanti i Ushtrisë. Për më tepër që sot në Ukrainë po ndodh një luftë e ashpër, tipike në thelb si ajo e viteve 1939-1945, apo Lufta e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, në modelin shqiptar të marrëveshjeve, një model arkaik ky post po i ofrohet Bashës me qëllim që t’i hapet rruga zgjidhjes së krizës brenda Partisë Demokratike etj. Pra jemi tek unifikimi. A është Basha unifikues apo jo? Po e risjell për të dhjetë herë skedën e tij si drejtues i Partisë Demokratike.
1) Zgjedhjet vendore 2015, i humbi, por nuk dha asnjë moment dorëheqjen. Madje as nuk e çoi nëpër mend.
2) Zgjedhjet e përgjithshme 2017, i humbi. Vinte nga një marrëveshje bizarre me qeverinë. Mori disa dikastere për pak muaj dhe doli nga zgjedhjet me xhepat plot kunguj e tranguj. Kurse qeveria me xhepat plot me vota. Jo që nuk e dha dorëheqjen, por shpiku praktikën ngriva-shkriva, Një lojë kalamajsh në rrethina a hyrje pallatesh, që, kur të afrohet ndjekësi, t’i ngrin në vend. Ndjekësi largohet dhe ti shkrin etj.
3) Zgjedhjet vendore 2019, i humbi. I humbi duke mos marrë pjesë fare. Nga atëhere e Majta shqiptare ka 99.99% të bashkive në vend. Kurse e djathta ka Pordhët e Lulit.
4) Zgjedhjet e përgjithshme 2021, i humbi. Jo që nuk dha dorëheqjen por u tregoi demokratëve sheshit se si manipulohet vota e tyre. Se si ata edhe pse ishin në shtëpi, kishin votuar pa qënë fare aty. Nëse Berisha kishte rrudhur vendimmarrjen kolegjiale, pra votën e forumeve deri në 60%, ky e zeroi duke i dhënë vetes pushtet absolut. Gjithçka fillonte dhe mbaronte me zarfe të mbyllur, jo me votë.
5) Zgjedhjet e pjesëshme në 6 mars 2022, i humbi. Jo që nuk ka dhënë dorëheqjen. Por është bërë bum viral i botës së internetit ku humbjen 5-0 e mbylli me fjalët lapidare se ai kurrë nuk ka humbur.
Për rrjedhojë sot Partia e Demokratike është ndarë në 3 të tilla. E para ka 60% (kjo në bazë të zgjedhjeve të 6 marsit). E dyta, e Lulit, 20%…, por e treta në rang kombëtar. Një rekord që as enveristi më i thekur nuk e mendonte, jo më socialistët apo demokratët. Dhe e treta, tërheqja e demokratëve që nuk votuan asnjërën palë. Apo dorëzimi pa kushte i asaj kaste që quhet elektorati gri, i cili në kapërcyell pushtetesh anon historikisht me opozitën. Pra janë parametra klasikë të një shkatërruesi, të një epidemie e cila jo nuk të unifikon, por të të çon në një tjetër karantinë 3 vjeçare si kjo që kaluam prej Covid-19.
Tani a është Basha për komandant apo jo? Kujtoni 8 janarin e 2022-it. Ai komandant që rreh ushtarët e vet me qeverinë dhe policinë e shtetit. Të jeni të sigurtë se nesër do bëjë të njëjtën gjë me shqiptarët. Do i rrahë, përdhunojë, grabisë, degdisë po ashtu dhe për më keq akoma, me dorën apo çizmen e të huajit.
Hiqeni nga mendja se do shikoni me uniformë llogorove siç po shikoni për shembull atë djalin e Ukrainës, Zelenskin. I pari që do ju braktisë është pikërisht ky kallkani që hiqet si patriot i madh. Në fakt është po aq pushtues, sa sot, falë tij dorëheqja është një normë e humbur në kulturën tonë demokratike. Shumë shpejt do shihni kur ta nxjerrin jashtë me shqelma, presidentit e 8-të shqiptarëve. Dhëntë Zoti dhe nuk e keni seriozisht! /Nga Ilir LEVONJA/