Nuk e kam njohur Paulin Palin,si shumica prej jush. Por për punën dhe veprën e tij brezi im ka mësuar prej kohësh, që në fëmijërinë e rininë tonë. Tashti që jetën e tij e njoh pak më mirë,mund të them me bindje se,në qoftë se ka një njeri që meriton vëmendje të veçantë për t’i shprehur mirënjohjen e thellë për krijimin e këngëve të reja dhe për ndihmesën që ka dhënë për ta bërë këngën shkodrane të të gjithë popullit shqiptar,pra për ta kombëtarizuar atë, për ta njohur dhe përhapur në të gjitha trevat shqiptare, ky është Paulin Pali.
Nga fundi i viteve ’40 dhe gjatë viteve ’50 të shekullit të njëzetë e në vazhdim,kur veprimtaria e Paulin Palit në Radio-Tirana #RadioTirana ka qenë tepër intensive,ndërkohë që mjetet e përhapjes së vlerave të kulturës popullore të qyteteve të ndryshme në përgjithësi kanë qenë të kufizuara,kur kufijtë e Shqipërisë me trevat e veta për rreth kanë qenë të pakapërcyeshme,valët e Radio-Tiranës nuk i kanë përfillur këto pengesa absurde,por kanë përcjellë tek të gjithë shqiptarët,dhe veçanërisht në shpirtërat e trazuar të shqiptarëve në Kosovë,Maqedoni e Mal të Zi jonet e ngrohta dhe jetëdhënëse të këngëve tona qytetare nga të gjitha qytetet e Shqipërisë,duke përfshirë edhe këngët e bukura shkodrane.
Në një vështrim të shpejtë e të shkurtër të veprimtrarisë së figurave më të shquara të kohës kur zëri i Radio-Tiranës ishte mjeti më frutdhënës për përhapjen e këngës qytetare shqiptare,bashkoj fjalën time me parafolësit për vlerësimin në maksimum të atij që shkriu emrin e tij me gjithë këtë rol,të atij që sot po i kujtojmë 100-vjetorin e lindjes,të të paharrueshmit Paulin Pali.
Ishte viti 1972.Në Hanin e Hotit dal të pres mjeshtrin Lorenc Antoni.Si një jehonë e largët i kisha dëgjuar emrin,aq pak sa mund të njihnim në atë kohë figurat e shquara të shqiptarëve të Kosovës.Dy javë të qëndrimit me të më ndihmuan që ta njihja nga afër.Kishte themeluar shkollën e muzikës në Prizren,e para në Kosovë,ajo sot mban me nder emrin e tij.Shpesh bisedonim për tema të ndryshme.Jo vetëm një ditë,biseda përqëndrohej edhe te Paulin Pali.
“Ishim të shkëputur nga Shqipëria amë,-më thoshte,-dhe e vetmja dritare për ne ishte Radio-Tirana. Atë e dëgjonim msheftas…por me kënaqësi.
Shumë gjëra nuk thuheshin në atë kohë,nuk jepeshin informacione të plota për krijuesit e këngëve,për drejtuesit e organizatorët e muzikës që transmetohej,por emri i Paulin Palit na u bë i dashur,i shtrenjtë,i nevojshëm,ai na solli në zemrat tona bukurinë e zërit të Luçije Milotit,ëmbëlsinë e zërit të Bik Ndojës,Xhevdet Hafizit,Drita Papajanit e të shumë të tjerëve,na bëri të njohur zërin e ngrohtë të kosovarit tonë Bajram Spahija,dhe ne,që merreshim me muzikë,i dëgjonim me ëndje këto këngë,i kalonim në nota dhe ua mësonim fëmijëve,të rinjve dhe përpiqeshim,në mënyrën tonë e me mundësitë tona tepër të kufizuara e shpesh edhe me pasoja të frikshme,si të thuash “në tehun e thikës” (këtë shprehje e thoshte edhe për gjëra të tjera) që t’i përhapnim ato,t’i bënim pjesë të jetës sonë,ato hynë në gjithë qenien tonë,na pasuruan shpirtërisht,na mbushën zemrat me krenari,na përtërinë.Ato na mbajtën gjallë ndjenjat tona të dashurisë për gjithë forcën krijuese të popullit shqiptar,për energjitë e pashterëshme të tij.
“E dëgjoja me kënaqësi e vemendje,kur fliste,përveç të tjerëve,për figurën e Paulin Palit,për të cilin edhe kërkonte të dinte më shumë.E takova me profesorin tim të shkollës së mesme Tonin Zadejën,prej të cilit mori shumë të dhëna për Paulin Palin.
Nga Radio-Shkodra mori shumë këngë të inçizuara nga fondi i saj,të cilat ai nuk i kishte.E mbaj mend si sot atë moment kur kishte në dorë shiritat me këto këngë,të cilat me fisnikëri ia dhuroi Radioja, se si i ndrisnin sytë,se si u gjallërua dhe se si i dukej sikur kishte në duar thesare të paçmuara.
Më vonë, në vitin 1991, kur kontaktet me shqiptarët e Kosovës u dendësuan,kur po zhvillonim në Shkodër festivalin e parë mbarëkombëtar të këngës kushtuar Kosovës,i paharrueshmi Esat Bicurri na tha:-
“Shkodra ishte qyteti i ëndrrave tona,i të gjithë artistëve kosovarë,sepse ne të gjithë jemi ushqyer me këngën e saj të mrekullueshme”.
Në qershorin e vitit 1972,mësuesi i ne të gjithëve Lorenc Antoni,sapo ishte kthyer nga Shqipëria,na mblodhi të dëgjonim këngët e përmbledhura në një bobinë,me shumë këngë të krijuara apo të përgatitura nga Paulin Pali.Ne dinim diçka për këtë personalitet dhe i kishim dëgjuar në radio shumicën e këtyre këngëve,por profesori ynë i nderuar na foli gjatë,me shumë pasion dhe krenari për Paulin Palin.
Në mendjen tonë e në zemren tonë,figura e tij mori përmasa të reja. dhe pas një pauze,shtoi:-“Ato melodi të ëmbla e të ngrohta,ato tekste të shkruara me mjeshtri na jepnin kënaqësi të veçantë,dhe filloi të këndojë nga një varg apo strofë të disa prej këngëve të Paulin Palit,me atë zërin e tij të ëmbël dhe joshës:-
“Ti je krejtë si një ganxhe … “,apo “Çile zemren plot kujtime … “,etj.
Pastaj shpërtheu:-“Ah,i shtrenjti Paulin,si nuk je gjallë,se do të të kisha puthë ato duar të arta e atë ballë të ndritur,për kënaqësitë dhe mallëngjimet që na ke krijuar”. (Nga ditari i Prof.Gëzim Uruçit,që ndodhet në arkivin e tij personal).
I ndjeri Ismail Hoxha,muzikolog,redaktor i muzikës në Radio-Shkupi, më thoshte në vitin 1992:-
“Njohim pothuejse të gjithë këngëtarët më cilësorë të këngës shkodrane,si edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë,sepse i kemi ndjekur ata,jemi ngrohur me zërin e tyre,na është mbushur jeta jonë e vështirë,si pasojë e ndarjes së padrejtë,nuk e kemi ndjerë sa duhet këtë ndarje kur dëgjonim Lucje Milotin,Bik Ndojën,Xhevdet Hafizin,Naile Hoxhën e të tjerë e të tjerë,të cilët i drejtonte dhe i përgatiste Paulin Pali i paharrueshëm”.
Ndërsa muzikologu i ri Behar Arllati më shkruan nga Gjakova:-
“… Mund të them pa rezervë se jam rritur me këngët e Bik Ndojës,Luçije e Emil Milotit,Xhevdet Hafizit,Drita Papajanit,Bajram Spahisë,Despina Trimçevit,File Gjeloshit,Naile Hoxhës,etj.
Dhe jam entuziazmuar kur kam dëgjuar se këngët që ata kanë kënduar janë krijuar nga krijuesit e mëdhenj Palokë Kurti,Hasan Preza,Kolë Gurashi,Paulin Pali,etj.
Në këngët e tyre jo vetëm rreh pulsi i një populli artist,ato bëjnë që njeriu të preket,të përmallohet,të kujtojë ditë e kohë të shkuara,si dhe të frymëzohet pa masë,të gëzohet dhe të përtërihet…”. /Nga Isa ALIBALI, “Në Shkodër të gjithë këndojmë”/