Mirënjohja është një virtyt universal njerëzor. Mjerë kush nuk e ka. Disa njerëz takohen në jetë nga një rrethanë rastësore,po bëhen të paharruar në kujtesën tënde deri ditën e fundit në këtë botë. Kam edhe unë historine time me COVID 19. Në shkurt të këtij viti, kur ishte piku i infektimeve, e morëm virusin përnjëherësh me disa kolegë në udhëtime për arsye pune. Ditën që e kuptova dhe bëra tamponin (i cili doli pozitiv), shenjat e sëmundjes erdhën gjithnjë e më shqetësuese: një kollë e përhershme dhe temperatura në rritje.
Një mik i ngushtë më dha numrin e dr. Arben Pilacës, një mjek infeksionist i mrekullueshëm (ndoshta më i miri, jo nga ata që kapardisen nëpër televizione) dhe një shkodran i mirë. M’u përgjigj menjëherë sa i shkruva në whatsapp. Fillova të ndjek këshillat e tij nëpërmjet telefonit. Një moment u duk se gjendja ime po përkeqësohej më tej dhe doktori më këshilloi të kap një urgjencë.
-Po vij te Hygeia, i them. Doktori punon aty.
-Mirë, thotë doktor Pilaca. Por unë nuk dal në spital këto ditë se kam njerëz në familje të infektuar. Do të të presë doktoresha Iris.
Mora makinën dhe drejt spitalit. Rrugës më kujtoheshin të njohurit e vdekur nga Covid në ato ditë. Ishin disa. Mbërrita te Hygeia. Kërkova doktoreshën me emrin e bukur Iris. Impresioni i parë nuk ishte si e prisja. Një vajzë e re, e vogël do të thosha, si ndonjë studente që po bën specializimin. Ah, doktor Pilaca, në duart e kujt më le! Pas maskës foli një zë i ëmbël:
– Jetmir Shpuza? Po…eja pas meje!
Nuk pata kohe as të mendoja se ajo filloi të merrej me mua.
– Oksigjenin e paske mirë,97.
Pastaj mati temperaturën. Aty filloi të shqetësohej. Temperatura kishte shkuar 38.5 . Menjëherë më bëri grafinë. Atëherë më thirri sërish.
-Lajm të keq nuk kemi, po as lajm të mirë jo. Të ka prekur 25% të mushkërisë. Do bësh një mjekim të të ulet temperatura dhe pastaj do të të jap një antiviral dhe ca mjekime të tjera. Do bëhesh mirë.
Nuk më la të dilja nga spitali pa më rënë temperatura, u kujdes të më gjente infermierin për të më bërë inxheksionet në shtëpi dhe në këto pak orë ajo “vajza e vogël” erdhi e u rrit në sytë e mi, e dëgjoja si perëndi, më dukej një ato femrat madhështore, një Kamala Harris…
Komunikimi vazhdoi për 7-8 ditë. Shkova edhe 2- 3 herë të tjera te Hygeia, bëra skaner, analiza. Gjithmonë me atë gjallërinë e përhershme që i dallohej në sy, sepse fytyra ishte e mbuluar nga maska. I shkruaja kohë e pa kohë, nganjëherë me kapriçot dhe dyshimet naive të pacientit. Asnjëherë nuk u mërzit, asnjëherë nuk më tha “jam e zënë”, pavarësisht se kishte njëqind punë në ato ditë intensive kur sëmundja po përhapej rrufe. Më jepte një gjendje optimizmi,aq e nevojshme për pacientin… Derisa mbaroi mjekimi dhe në analizat e fundit PCR me doli 0.15 e aty pashë sërish atë doktoreshën “e vogël” që tashmë e shihja si perëndi.
-Ia hodhe, tha. Ka funksionuar. Do të të jap dhe ca hollues gjaku dhe mjekime të tjera në vazhdimësi.
Kanë kaluar disa muaj. Në rrokopujën e ditëve duket sikur gjithçka kalon, harrohet. Ti je një njeri i paharruar për mua, doktoresha Iris Koshovari. Sot paske ditëlindjen dhe unë dua të të uroj gjithë të mirat e botës që më duken shumë pak për ty. Lum njerëzit që të rrethojnë, se çfarë mrekullie kanë pranë! Të uroj jetë të gjatë e paç shumë të mira,fat e suksese! Ti meriton gjithçka nga kjo jetë! /Nga Jetmir SHPUZA, gazetar/