Barbara Wladislaw Gluc, shtetase polake, u martua me Vasillaq Orgockën dhe në vitin 1956 erdhi në Shqipëri. Me profesion laborante punoi në fabrikën e birrës së qytetit. Në vitet 1962-1966 ishte në përpunim nga Sigurimi i Shtetit, por vetëm në vitin 1968, cilësohej drejtimi ndaj si “agjente e mundshme e zbulimit polak”.
Gjatë gjithë përpunimit, deri në arrestimin e saj më 26.2.1969, nuk del asnjë element spiunazhi, por vetëm agjitacion e propagandë dhe “shkelja e dispozitave valutore” (siç quheshin blerjen e vogla). Hetuesinë në Tiranë e nisi hetuesi Qemal Metaj, por ky nuk e akuzoi më shumë se agjitacion dhe shkelje të dispozitave valutore. Për të përmbysur situatën, pas torturimeve të rënda, çështjen në dorë e mori hetuesi Odhise Porodini, i cili më 8.4.1969, arriti ta detyrojë të nënshkruajë akuzën e “spiunazhit” sipas akteve që kish shkruar vetë.
Se çfarë interesi kishte “zbulimi polak”, rreth fabrikës së birrës në Korçë, as Porodini dhe as shokët e tij, nuk i jepnin dum si muhabet. Kaq i kishin akuzat e përgjithshme për “zbulimin polak”.
Barbara që u përfshi në një proces ku ishte edhe i shoqi i saj, u dënua me 25 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. E shkatërruan nga torturat deri në çmendje. U amnistua dhe lirua më 24.6.1971 pas ndërhyrjes e presionit të ambasadës polake në Tiranë. Me barelë e nisën në Rinas. Shoqëria jonë sot, mallëngjehet me historinë e Barbarës, por nuk ndahet dot nga veprat kriminale të odhiseve me shokë.
Fotoja e martesës së Barbarës me Vasillaqin. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/