Më 17.11.1946 gazeta “Bashkimi” hapej me titullin e madh: “Në Kuvendin e Françeskanëve u zbuluan armë, municione dhe dokumente tradhtie”, “të fshehura me kujdes të madh nga klerik katolik”. Bëhet fjalë për fare pak armë të lëna nga ushtria gjermane e cila kishte ndenjur në dy godina të Kuvendit Françeskan dhe në tërheqje nuk i kish marrë.
Atë Çiprian Nika deklaroi përpara gjyqit: “Nuk fsheha asnjë armë në kuvend. Puna qëndron kështu: gjermanët kanë pas ndejtë në dy ndërtesat tona. Kur dolën (ikën d.m.th.-shënim), lanë municion e 5 tyta mitralozi”. Pra nuk bëhej fjalë as për strehim armësh e as për depozitime të tyre, me qëllim përdorje për kryengritje, por për një municion të mbetur nga koha e pranisë së ushtrisë gjermane. Çështja e këtyre amëve doli e qartë edhe në gjyq.
Skenari sikur “armët i futi Sigurimi” nuk qëndron. Së pari personit që i vihet kjo cilësi, Pjerin Kçira, nuk punonte në Sigurim, por ishte korrespondent i ATSH-së për Shkodrën. Me urdhrin nr.09-980, datë 27.4.1947 Pjerin Kçira emërohet hetues i Sigurimit dhe heton pikërisht çështjen në fjalë. Mundet që pendesa e Pjerinit në gjyqin e vet të ketë qenë për dy çështje: ndonjë shkrim për “zbulimin” e armëve dhe si hetues i çështjes, duke torturuar priftërinjtë. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/