Një të mirë e solli çilsi, na mësoi se arti nuk asht i bukur. E bukur asht Monica Bellucci por Motra Tone asht art. S’ka asgja të bukur, prej asaj që ne konsiderojmë të bukur, tek piktura “Les demoiselles d’Avignon” të Pikasos.
A duhet pra me ken e pabukur që me ken art? Jo, mund të përkojnë një vepër artistike edhe me atë që një kulturë e percepton si të bukur, mund të ndodhin por s’asht kusht.
Po nëse diçka s’asht e bukur a ka vlerë?
Po, ka vlerë edhe diçka që s’asht e bukur. Pikërisht këtu qëndron randsia, sepse tuj mos kenë aq e bukur, pra aq e menjihershme, na shtyn me kuptu e me kërku ma shumë e na mundëson me zbulu bukuri që nuk i kishim ndi te tilla. Kjo asht nji prej vlerave që ka arti, nuk zbukuron shpijat e qytetet, por na meson me ecë, me dalë prej asaj që dimë e që njofim, dhe ktë e ban qoftë edhe përmes bezdisjes.
A e kanë gabim këto që ankohen se nuk u pëlqen ai çils i ndryshkun?
Jo, nuk e kanë gabim. Vlen shumë edhe bezdisja estetike që shfaqin njerëzit, edhe kjo duhet, madje vlen ma shumë se pranimi se edhe pranimi i menjihershëm nuk çon askund e nuk ban me lindë asgja e re. Vlen ma shumë kritika se pranimi i atyne që thonë : asht i bukur çilsi se Beneti po punon mirë…
Na duhet pak me dalë prej të zakonshmes, prej asaj që vjen gratis sepse asht e bukur si çdo gja e bukur që njofim. Duhet me lëviz drejt pozicioneve jo komode e aty me marrë frymë, me pa, me njoftë, me përshku e kështu pellgu i të bukurave që njofim ka me u zgjanu ka me u ba liqen.
*në foto Les demoiselles d’Avignon /Nga Klodian KOJASHI, publikuar në Facebook/