Mjaft na i ndatë tokat, mos na i ndani dhe njerëzit! Nuk e marr vesh kush dreqi i fryn kësaj fjale që të parët tanë nuk e kanë njohur kurrë në shekuj por e solli diplomacia e huaj tek ne. Tolerancë leshi….çfarë është kjo tolerancë e shpifur. Po ne jemi vëllezër more, të një gjaku, ç’nevojë kemi për tolerancë?!
Po përdoret feja për qëllime politike. Dy vëllezër, njeri Mark Shpendi e tjetri Mehmet Shpendi, si po u dashka me qenë tolerant me njëri- tjetrin, o mediokër, po ata janë vëllezër more e jo armiq. Harrojini klasifikimet, nuk ka nevojë të na përdorin si kavje politike për tu treguar botës se edhe në diversitete mund të jetohet.
JO, ne nuk kemi diversitete se jemi të gjithë shqiptarë, kemi një gjak, një traditë, një gjuhë, një komb. Toleranca është kur ke përballë llojin tjetër….ta zëmë, ne dhe grekët minoritarë. Aty shihet toleranca dhe mirëkuptimi…Mua me vëllezërit e mi të besimit musliman nuk më hyn në punë toleranca juaj, ma shpif fjala tolerance, sepse janë vëllezërit e mi.
Çfarë janë këto absurditete e mediokrritete. Pse nuk shohim dot larg në prejardhjen tonë? Kush na a ka kastruar mendjen?
I lutem të gjithë shqiptarëve, mos pranoni të klasifikoheni, heshtojeni besimin e mos e shfaqni në publik se nuk është dekoratë, nuk është për tu mburrur, mos pranoni t’ju cilësojnë në përkatësi fetare, konsiderojeni ofendim, siç bën gjithë bota e qytetruar, refuzoni çdo statistikë e census, mos pranoni t’ju përdorin si kavje politike, jemi një dhe të pandashëm. /Nga Kolec P. TRABOINI, publikuar në Facebook/