Të mos hiqemi si ekspert as për ta sulmuar e as për ta mbrojtur skulptorin. Ilirian Shima. Thjesht pa anatemuar askënd të shprehim mendime. Sa më përket mua, them se ka një keqkuptim ndër ne të gjithë që, ose e brohorasim ose e kritikojmë.
Së pari dua të them se populli ka një shprehje, si asht vendi bahet kuvendi. Kjo vepër në vetvete është e bukur. Ka mjeshtri ka edhe ide dhe një gjetje e caktuar e autorit. Shkon bukur në një ekspozite, galeri, mjedis të mbyllur, por nuk mendoj se është e përshtatshme për një vend publik. Nuk është një subjekt artistik fiction, por ka emër Nënë Tereza. Si e tillë publiku e kërkon së pari në fytyrë.
Me fytyrë të mbulua dalin si traditë në vendet arabe. Nuk ka të bëjë me traditen shqiptare. Gjithnjë ruaj mendimin se kur bën një vepër për një figurë të caktuar, për një hapsirë publike nuk mund të lozësh me figurën. Nuk mund të bësh një gjeth fiku e të thuash ky është Migjeni, siç një grumbull gurësh e kanë emnue Gjergj Fishta, figurat historike kanë indentitet.
Kësisoj kjo vepër që shpreh përkushtimin e thellë të Nënë Terezes është një vepër artistike që përderisa nuk arrin ta indentifikosh me tipare mund të emërohet si të duash, mund ti vesh një emër tjetër që shpreh thelbin e veprës së krijuar, si lutja, përkushtimi, e tjerë.
E përsëris është në vetvete një vepër e bukur si krijim, por nuk mund të përfaqësojë Nënë Terezen në një hapësirë publike. Përceptimi publik kërkon indentitetin e figurës dhe jo idetë e autorit. /Nga Kolec P. TRABOINI/