Po jetojmë një skizëm, një hipokrizi groteske që kuvendon mbi çdo qelizë të shoqërisë dhe të shtetit. Një gjendje akute e kalbëzuar nga hija e dekadave dhe e përfeksionuar në modelin me të keq të shtetformimit. E gjithë kjo vorbull na sjell po të njëjtat ngjarje, hakërrime, absurde që kanë përshkuar kalvarin e identitetit të shoqërisë sonë.
E trishtë kur shikon gjendjen e mjerueshme të shtetit, dhe hipokrizinë e tejskajshme të një trupe drejtuese e cila është e shkëputur katërcipërisht me realitetin. Lundrojnë në po të njëjtat ujëra, kundërvihen në po të njëjtat dimensione, por në asnjë çast interesi i tyre nuk është interesi jonë. Një sistem që shfrytëzon qytetarin për kapriçot e pushtetarit. Turma që enden sa nga njeri krah në krahun tjetër e në fund përsëri mbesin në vend numëro pasi ato që përfirojnë janë vetëm një grusht individësh që jetësuan interesat personale. Në këtë prizëm politika është hipokrizi. Politikanë që duan që një popull të shoh me sytë e tyre, të mendojë me mendjen e tyre e mbi të gjitha të veprojë sipas interesave të tyre. Populli shqiptar e ka vuajtur mbi kurriz besimin gjithmonë të shpërduruar të klasës politike, duke nisur nga politikat e gabuara e duke përfunduar në jetë të humbura e ku në fund i vetmi që përfiton është politikani. Bunkerizohen, vrasin, zhvillojnë demostrata vetëm e vetëm që pikësynimet e tyre personale, egot e këqija të kalitura kulisash të kënaqen.
Ne si popull e kemi vuajtuar shumë në shekuj faktin që gjithmonë kemi ndjekur individin dhe jo idetë. Mjafton që individi na ka përmbushur pa nuk ka rëndësi çfarë idesh përcjell. Për këtë poliglot si Konica kanë thurur rreshta ç’ka dëshmon se kemi të bëjmë me një mentalitet të trashëguar. Po të kthejmë sytë sot përreth jemi në po të njëjtën pikë, individ që symbyllurazi ndjekin kryetarët apo drejtuesit e grupacioneve, ndjekin Kryeministrin, Kryetarin e Bashkisë e këdo që zgjidhet nga ata, por që çdo ditë kanë dëshmuar se nuk punojnë për ta. Nxisin një popull skenik që t’i ngjaj koreografive komuniste të turmave të gëzuara për t’i hedhur hi syve një populli që harrojnë se është ngopur me këto makinacione. I gjithë sistemi demokratik i shqiptarizuar do të ishte një model studimi që dëshmon atë që një shtet nuk duhet ta bëjë kurrë.
E trishtë kur shikon këtë degradim të çdo qelize dhe këtë hipokrizi të ulur këmbëkryq që prekë çdo sferë të jetës. Politika po na dhuron tablonë më të dhimbshme të atyre që deri dje hanin në të njëjtën pjatë e që sot e pështyjnë atë. Vëllezër të një sofre që sot hakërrehen për interesa patriarkësh politik. Prandaj shoqëria ka nevojë të depolitizohet që të mos ketë kaq shumë ndikim një politike e degraduar në jetesën tonë. Ka ardhur koha të shofim përtej ngjyrave partiake, të shohim përtej konfliktit si model i zgjidhjes, por drejt një fryme të re të të bërit politikë, një fryme që më në fund edhe ky shtet të hedh hapa real pozitiv në të gjithë spektrin politik, institucional dhe jetësor. Koha na kërkon bashkim drejt bindjeve dhe ideve. /Nga Kolindo VJERDHA/