Të jesh sot student në këtë sistem socio-ekonomik është një sfidë, e cila bëhet edhe më e vështirë në momentin kur faktorë të ndryshëm ndikojnë mbi procesin e mbarëvajtjes së jetës akademike. Ky vendim i marrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit mbi frekuentimin e procesit mësimor prek në mënyrë të drejtpërdrejtë pikërisht jetën akademike të një studenti.
Në të parashtrohet se një student që ndjek studimet në çdo program të ciklit bachelor apo master shkencor e ka obligative ndjekjen e leksioneve në masën 75%, ndërsa në master profesional në masën 60%.
Ky vendim hedh poshtë nocionin “fakultativ” që studenti kishte të drejtën e zgjedhjes për të ndjekur apo jo ciklet e leksioneve në auditore. Çdo term detyrues duhet arsyetuar edhe mbi rrethanat mbi të cilat ngrihen dhe kushtet e objektit që ai prek.
Në një hulumtim, duke e krahasuar me praktikat e disa vendeve të BE-së (Itali, Gjermani), më rezultoi se një vendimmarrje e tillë në asnjë rast nuk ndërmerrej nga qeveria, por i takonte institucionit përgjegjës që në këtë rast është universiteti apo edhe në raste edhe më të shpeshta titullarit të lëndës, pra pedagogut. Ndjekja e ciklit të leksioneve njihet si një ndër liritë për të studiuar, që përcakton se studenti gëzon lirinë individuale të zgjedhjes së formës se si ai i qaset studimeve, duke zgjedhur të ndjekë ciklet e leksioneve në auditore apo të zgjedhë metodikën e vetë-studimit.
Duke njohur sitatën ekonomike që prek realitetin shqiptar konstatojmë se shumica e studentëve zgjedhin të punojnë paralelisht për t’i mundësuar vetes ndjekjen e studimeve universitare. Po i referohemi një realiteti ku një student duhet të përballojë çmimet e tejfryra të qerave të banesave, transportin ndërqytetas, çmimet e ngritura të ushqimeve, tarifat e studimit që njohin vetëm rritje. Janë pikërisht të gjitha këto vështirësi që e detyrojnë atë të punësohet. Tregu ynë në asnjë rast nuk është asistuar nga shteti për të krijuar pozicione pune me orare specifike për student, ku të tilla praktika aplikohen në vendet e BE-së. Sot një student detyrohet të punojë me orare të plota që të vetëfinancojë shkollimin e tij. Kjo është edhe fasha e studentëve më të prekur nga ky vendim, pikërisht ato student të cilët sakrifikojnë.
Vendimet e marra pa asnjë diskutim me grupet e interesit dhe duke anashkaluar në këtë formë edhe realitetin e frikshëm me të cilin studentët përballen nuk mund të sjellin efekte pozitive.
Pyetjet që shtrohen janë tërësisht objektive:
1- Me kë jeni konsultuar për këtë vendimmarrje?
2- Mbi cilat metodika jeni bazuar se kjo formë obligative kthehet në rezultative?
3- A keni bërë një studim se si ndikon kjo vendimmarrje në jetën akademike, por edhe financiare të një studenti?
4- Cila do jetë forma e kontrollit që nuk do të lejojë spekulimet?
Sot qeveria duhet të mendojë se si ta mbështesë një student në aspektin ekonomik dhe pastaj nëse ia krijon kushtet e tilla lehtësuese në këtë aspekt atëherë mund të ndërmarrë vendimmarrje të tilla me elementë të tillë obligativë. Nëse vazhdohet me të tilla vendime të pa konsultuara me realitetin e prekshëm, vetëm sa do të ndikoni edhe më shumë negativisht në rritjen e numrit të të larguarve nga vendi. /Nga Kolindo VJERDHA, publikuar në Facebook/