Deri kur sakrifica dhe sfilitja e tyre do të sfidojnë vonesat absurde të pagave mujore, të cilat nuk i kanë marrë për asnjë muaj të 2024-it?!
Prej 3 ditësh prita pranë finishit çiklistët e garës “Agim Tafili” në qytetin e Shkodrës. Për shkak edhe të kushteve atmosferike të këqija, në 2 ditët e para, teksa vështroja çiklistët e kthyer pas garave (mbi 350 km në total për 3 ditë), vura re që balta i kishte mbuluar keqas, mbi vetulla, në gushë, kudo në lëkurë, damarë të kërcyer përjetë, mollëza të enjtura, aq sa mendova se nuk do të ketë sport më burrëror se çiklizmi. Shtoi kësaj edhe trishtimin, pasi, pavarësisht se arritën të vlerësohen si ekipi më i mirë, pritshmëritë e djemve tanë të Vllaznisë ishin shumë herë më të larta se rezultati i arritur. Por, në ankthin e pritjes që të jep finishi, kur sheh se atë e presin lojtarë polakë, maqedonas, nga ekipe mjaft të mira, që ekipet e Tiranës kanë buxhet, dhe mirë bëjnë që i paguajnë, dëgjova pambarim shprehjet e qytetarëve shkodranë, të tipit: “Ata të Vllaznisë nuk kanë forcë se nuk marrin trajtim, nuk u paguhen pagat, trajtohen padinjitet, boll lodhet trajneri por boll më nga xhepi i tij, etj. Në këtë opinion të përgjithshëm, nuk më vrau aq fakti ekonomik sa nëpërkëmbja e dinjitetit të sportistëve tanë.
Përgjatë 3 ditëve, në shoqërinë e sportistëve të ekipeve të tjera, janë shkëmbyer informacionet. Kuptohet, i kanë lënë pafjalë homologët, kur ua kanë thënë në sinqeritet se nuk janë paguar fare në 2024-in. Trajtimi i një çiklisti nuk janë vetëm kilometrat e zhvilluar çdo ditë gjatë stërvitjes. Është ushqimi i përditshëm, i cili ndryshon nga anëtarët e tjerë të familjes, sepse është specifik. Po ashtu të llojit të veçantë jane veshjet, materialet teknike etj. Ç’kusur ka trajneri të mbulojë nevojat e ekipit nga buxheti i tij ? Në këtë gjendje të mjerueshme janë dhe mjaft sporte të tjera në Shkodër, por çiklizmi hyn në sportet që ka dhënë gjithmonë rezultate, edhe pse ka pas ndër vite një buxhet të papërfillshëm. Të mos flasim pastaj për historikun e çiklizmit në Shkodër, i cili duhej t’i kishte dhënë një lloj statusi të vecantë këtij sporti.
Në ceremoninë e finales së Kupës “Agim Tafili”, në prezencën e përfaqësuesve të Federatës së Çiklizmit dhe Komitetit Olimpik Shqiptar, para dhënies së trofeve i jepet një vlerësim edhe kryetarit të Bashkisë z. Beci. Dhe mua nuk më thotë asgjë ky vlerësim, pasi në mendje më vijnë: sfilitja e djemve mes shiut duke garuar, fytyrat e tyre të shpërfytyruara nga stërmundimi, trajtimi ushqimor i munguar, pagat e pamarra, dinjiteti i nëpërkëmbur. Unë e quaj, jo si detyrim i një gazetareje, por si një detyrim moral i një qytetareje, prind i një çiklisti, që teksa shoh vlerësime pa sens, të bëj këto pyetje të thjeshta por të rëndësishme:
Përse nuk janë paguar çiklistët përgjatë 2024- it?
Si garojnë ata pa trajtimin e duhur ushqimor ?! Përse duhet të ndihen inferiorë para spotistëve të tjerë?! A e dini se këta djem për të cilët krenohemi kanë marrë oferta dhe nga ekipet e tjera, por nuk e kanë tradhëtuar Vllazninë. Nuk mund të justifikohemi dhe themi se në vitet e kaluara ky problem ka qenë. A nuk duhet të zgjidhet kurrë? Provoni dhe shihni këta djem që stërviten plot pasion me trajnerin e tyre Leonat Kola, që i frymëzon parreshtur, dhe do të habiteni e do të thoni “Ku e gjejnë kurajon e merren ende me këtë sport, pa u paguar?!” E pra, kjo është zemra shkodrane që rrah fort e nuk ndalet para vështirësive. /Nga Kozeta BRUÇAJ, publikuar në Facebook/