Me të dy nuk njihem hiç personalisht. As me Bardh Spahinë. Me Gjergjin kam patur një takim të shkurtër kortezie në Labinot-Fushë, pasi drekuam atje, në oazin e tij original. Unë isha i zhytur në atë gjelbërim e qetësi të pamatë, pa u hutuar përballë ca tabelave të çuditëshme nëpër objektet që gurgullonin edhe humor të freskët e kuptimplotë sidomos për kohën e monizmit. Asnjëri nuk e kuptoi përhumbjen e meditimin tim jo të zakontë.
Nuk lidhej asgjë me verën e bardhë, e as me peshkun. Dicka kërkoja me këmbëngulje e drithërimë: Kërkoja ca gjurmë të arta nga rinia ime e parë! Nga koha e shkollës së bekuar “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Nga aksionet masive për ndërtimin e Hekurudhës. U nisa për t’u bërë mësues, por dallkaukët zemërkatran e të pabesë më rrëmbyen mizorisht e poshtërsisht dhe më nisën 3 vjet ushtar (?!).Një vit para marrjes së diplomës. Në një kohë kur kishte aq shumë nevojë për arsimtarë të kualifikuar, sidomos në fshatra. Madje, edhe po të mbaroje me mesataren maksimale të notave, mund të ndiqje studimet e larta vetëm me korrespondencë(pa shkëputje nga puna).
Të paudhët sajonin marifete të errëta, që nuk i mësova dot kurrë plotësisht. Dhe gjithnjë në emër të Mbrojtjes së Atdheut (!) Ndërsa nga fshatrat mjaft djem luteshin me gojë e me shkrim për ta kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak sa më parë, përndryshe as fejoheshin e as martoheshin dot. Ishte ky një rregull i pashkruar zakonor. Dhe paradoksi hidhte rrënjë hidhërimi te unë dhe Xhafua nga Buzi i Tepelenës. Ikëm si me përdhunë të dy. Lamë prapa ëndrra të thyera rinore! Lamë gjurmë edhe te ky Labinot-Fushë. Unë ruaj ende një foto të çmuar. Ruaj edhe një dhimbje të madhe:-Shoqja ime e mirë nga Selenica e Vlorës, rritur jetime, para ca kohësh mbylli sytë me lemeri në atë autobuzin turistik që u dogj në qytetin e Krujës. Mësuese nga më të mirat. Një fund i pamerituar…
Nga largësia gjysëm shekullore më parë, kujtova komandanten e sektorit, elbasanasen e mrekullueshme, Burbuqe Dylgjeri që më nxiste të shkruaja lajme të zgjeruara, skica e reportazhe te “Zëri i Rinisë”. Kujtova edhe të paharruarin Bedri Myftari, redaktorin e faqes së Hekurudhës, të cilin e takova vite më vonë pas daljes së tij nga burgu, në Tiranë ! Kujtova fizarmoniçistin e talentuar, të verbër e punëtor, Hysen Salaria, që na argëtonte falas cdo pasdite. E, ç’nuk kujtova atë ditë te “shtëpia “ e re e Gjergj Lucës !…
Mirëpo, kur dëgjova deklaratën e tij publike për Rrugën e Dukagjinit (vendlindja e babës, e aktorit të madh e të papërsëritshëm shqiptar), më dha energji pozitive reale. Se njerëzit e punës së madhe nuk tingëllojnë si fucia e zbrazët. Oratoria dhe mënyra e komunikimit janë vlerë, aspak llafazanëri provinciale. Emri i Gjergjit nuk po lakohet vetëm tani në 2023. Përkundrazi. Puna e paqme u jep dritë edhe fjalëve të mira. Në këto raste, fjala e keqe mund të rrëzojë “kalanë” e të mençurve dhe u jep krahë të marrëve.
Djali i Rrugës “Myslym Shyri” i besoi punës, jo përrallave me “të djathtë” e “të majtë”. Prandaj nuk e njohin vetëm 30 katundet e Dukagjinit, që më në fund mësuan se “Projekti i Rrugës është miratuar” dhe bujtinën e parë do ngrejë Gjergji. Premtim përtej gjerdheve elektorale. Fjalë e dhënë, punë e bërë. Ashtu sic ka punësur me dhjetra gra e vajza në fabrikat etij të përpunimit të peshkut e të frutave të detit. Për ato me fëmijë ka ngritur edhe cerdhe e kopsht. Ja lejtmotivi i tij: Kualifikimi dhe Kultura e Punës ulin ndjeshëm papunësinë! Dukagjinasit i duan shumë njerëzit e zotë e të talentuar.
Fjala vjen, më ka mbetur e pashlyer në kujtesë përcjellja për në banesën e fundit, e dy bashkëshortëve artistë të dashur për publikun shqiptar. Ndreka kish lënë vetëm 2 amanete : “Kur të mbyll sytë përgjithmonë, më vendosni në kokë qeleshen e dhuruar në Kosovë dhe më përcillni nga shtëpia”. Nuk donte asnjë ceremoni zyrtare. Përmetaro- shkodrani Serafin Fanko, i vendosi një shirit kuq e zi në gjoks dhe arriti të thotë vetëm dy fjalë: ”Tani u plotësove…Ky ishe e ky do mbetesh, o Ndrekë !”. Një vaj pikëllues pushtoi e drithëroi atë pallat të vjetër te “M. Shyri”. Iku në 1993. Iku vetëm 56 vjeç!
Ndryshe ndodhi me Mimikën, nusen e asaj krahine emërmadhe: Disa burra malësorë shtatlartë e hijerëndë, zbritën nga Dukagjini në Tiranë me qylafët borë të bardhë në kokë dhe shqiponjën dykrenare! Ashtu në heshtje, rrallë ka ndodhur që kurorat me lule të mbuloheshin me qylafë malli, respekti, krenarie e burrërie për një grua zonjë, për një “nuse Dukagjini”. Heshtje që foli më tepër se ndonjë tribunë politike, më tepër se disa ekrane a faqe gazetash…
Në këtë fundprill e fillimmaji u publikua edhe një dhuratë origjinale në Youtube për Benet Becin, kënga e bukur “Si ke ndje…”. Dhuratë nga miqtë për 14 Majin ! Si një vesë e ndritshme mëngjezi për kandidatin “pa ngjyrë politike”. Kandidat që ka dhënë prova konkrete nëpër rrugë e qytete të Shqipërisë. Përshembull, 1300 kilometra nuk janë pak! Në krye të Fondacionit Shqiptar të Zhvillimit. Jo me fjalë, por me projekte, punë e djersë aftësie e zotësie. Dhe pa u rrotulluar në boshllëk rreth sloganit diskriminues 30 vjecar “bastion i djathtë ose i majtë”. Na rrofshin partitë me militantë të pashkolluar që dinë vetëm të ulërasin në mitingje e takime elektorale dhe presin ndonjë “thelë” për vete nga pushteti !
Ndryshe nga të gjithë, zoti Beci nuk e ktheu fushatën elektorale “në fushë beteje politike”. Kam ndjekur me vëmendje të vecantë disa prononcime të tij. Është bindës e pa parulla mëndjeprishura. Është mendjehapur e vëzhgues kritik i paanshëm. Dhe nuk hiqet mënjanë, por bëhet pjesë vitale e zgjidhjes si për Rrugën e Dukagjinit; e sidomos për hyrjen e qytetit të cilën e quan edhe portë për të hyrë në Evropë; për muzetë e shumtë që bartin historinë dhe thithin turistë (siç kontribuoi për ndërtimin e Muzeut “Marubi”; për ngritjen cilësore të Velipojës etj.). Synimi final: Kthimi i Shkodrës në një qendër Rajonale model! Që nga fasadat e pallateve të viteve ’70 të shekullit që iku. Në tërë mediatizimin e veprimtarisë së tij, nuk gjen gati asnjë gjurmë partiake e politike. Ekonomi, Infrastrukturë, Trashëgimi Kulturore! Ky është trekëndëshi bazë i ndryshimit rrënjësor të “Shkodrës loce”, që Beneti e do aq shumë. Ai ta injekton dëgjimin dhe nuk të irriton asnjë fije. Bashkëbisedim i çiltër me shkodranët dhe larg debateve politike pa bukë! Që nga mungesa e rrugëve për biçikletat ose mungesa e vezullimit kulturor të dikurshëm.
Për këtë të fundit, kujtova një zjarrvënie mesjetare te Biblioteka e famshme e qytetit, në 1997. Sapo kishim hapur një gazetë shqip në Athinë. Nuk mund t’i harroj lotët e një profesori me mbiemrin Shllaku, pas atij lajmi ogurzi. Ra shkëlqimi i qytetit ! Më vonë i largojnë arbitrarisht edhe Drejtorinë Arsimore, e ia cojnë në Lezhë (?). Kur miku im analist, Ilir Aliaj, ia tha sy më sy e në ekran Benetit, kandidati për Kryetar Bashkie reagoi menjëherë pozitivisht e pa lëkundje. Kishte të drejtë Tom Doshi, kur theksoi se demokracia fillon te pushteti local dhe se “Beneti nuk është një njeri politik, është një menaxher i mirë”…
Benet Becit siku nuk i shkonte as kostumi i deputetit. Po rend drejt kryeqendrës së Veriut. Ndryshe nga shumica e kandidatëve. Dhe njerëzia di të dallojë pasanikët e mencur fjalëmbajtës. Sidomos shkodranët e vërtetë që janë shquar historikisht plot mend e humor fin në çdo sistem e regjim. Le ta mbyllim me një anekdotë të mbajtur shënim në atë qytet të dashur :
“Nënë Prenda dinte të qante e të këndonte mirë; për këtë arsye e thërrisnin familjet pasanike…Kur martoi djalin një pasanik shkodran, e thirri në dasëm. Si hëngri e piu mirë, duke dashur të tallej me të, i zoti i shtëpisë e ftoi t’i këndonte një këngë mirditore. Si kreu kënga, prapë ky i thotë të çohej e të kërcente.
-S’bahen dy të mira bashkë!,-ia pret Prenda.
-Po pse ?
-Hëm të këndosh, hem të këcesh, të dyja nuk i di; di vetëm të këndoj.
-Ani ma, din ti, din…
-Jo, mor zotni, dy të mira bashkë nuk bëhen. Qe, bien fjala, ti ke pare e pasuri boll, por…nuk ke mend!… /Nga Kristo MËRTIRI/