Pasdite vonë. Pas pune hyj në bar. Ulem te banaku (jo në tryezë), si për t’i thënë vetes ”tani je pushim, shloju!”. Dhe porosis. Që këtu nis shpjegimi mbi rolin e vërtetë që gjuhëtarët dhe didaktët duhet ta kenë e s’e kanë. Ndiqni dialogun.
Baristi: M’mbrëma si je? Ça do marrësh?
Unë: Ma bën një gotë verë po pate?
Baristi: Verë? A sa mirë, po patjetër!
(nis të gjerb verën, bari brenda thuajse bosh. Janë jashtë).
Baristi: Ça pune bën?
Unë: Jap mësim. Pedagoge jam
Baristi: A bukur! Ça lënde jep?
Unë: Gjuhësi… dmth një degë të gjuhësisë që quhet (bëhem lëmsh)
Baristi (më ndërpret): Punë e vështirë gjuhësia. Dhe nuk e them kët se ke me msu rregulla e ku di unë, jo. Punë e vështirë gjuhësia se duhet me i vu men fjalëve. Dhe nuk i vehet fare men fjalëve. Lëshohen ashtu kot, e ke parasysh kur flet sa me blujt? Si i quni ju fjalët që thuhen sa me mbush fjalinë?
Unë: Fjalë parazite ndoshta?
Baristi: Eeee po paraziti të hy n’tru se! Ja për shembull, a nuk ju bezdis ju gjuhëtarëve që njerzit, kur flasin me të tjerë, thonë nji e m’dy: “kupton? A mkupto? S’di a m’kupto. Kuptove?”. Po mirë, them unë me vete, po pse e merr të padiskutushme xhanëm që jam un që s’kuptokam. Pse nuk provo t’menosh që ndoshta je ti që s’di me u shpjegu. Pra pse nuk thu: “a po shpjegohem? S’di a u shpjegova. E thash qartë?”. Dhe unë e di që ai që thotë “a m’kupto?”, nuk do me m’fy. Thjesht nuk e menon ça po m’thotë. E ka kap ajo pra, parazitja siç thu ti, zysh.
Unë: (hesht dhe vetëm e shoh, e shoh dhe s’flas fare, por mendja po m’flet përrua).
Baristi: A i mson studentët ti zysh me ju vu mend dhe vesh fjalëve? Se prandaj edhe të thash që gjuhësia është punë e vështirë.
* * *
Gota e verës sakaq kish sos. Pagova, u përshëndetëm dhe dola. Dhe po i thoja vetes rrugës: “Më duket se gjithkush e di ç’është detyra e gjuhësisë, përveç gjuhëtarëve”, apo siç shkruante Saussure te shënimet e veta: “Sa punë të mira mund të bënte gjuhëtari, po t’mos bënte atë që bën: rregullin se s’bën!”.
Të shtunë të mbarë dhe vejini mend fjalës. /Nga Ledi SHMAKU SHKRELI, publikuar në Facebook/