Dikush sot, hodhi nji rrenë te sheshi para Teatrit “Migjeni “, se teatri po “shkrihet” dhe vrapoi drejt Bahçallëkut ku rastësisht e takova edhe unë , duke ju marrë fryma dhe goja, më tregoj se me sot nuk kemi më Teatër.
-Vertetë i thashë ….
-Po po, më tha dhe u zhduk!!!
Hapa celularin për të mësuar më shumë , por asgja e vertetë , të tjera ishin të thënat dhe të bëmat. Mu kujtuan disa të vërteta.
Teatri i Shkodrës është i vetmi teatër në vendin tonë që nuk u krijua në malet partizane, ndryshe nga teatri i Tiranës dhe qytetëve të tjera ku kishte një traditë të teatrove të luftës, se arti teatror fillon jetën e vet në Shkodër, me 24 tetor 1880, me shfaqjen “Nata e Këshnellave “ të françeskanit arbëresh Leonardo De Martino, realizuar nga nxanësit e shkollës françeskane.
Shkodra, e bekuara, atbotë kur “sundonte dhe printe” në kulturen shqiptare, numëronte aty te viti 1890 këto salone teatrore :
1. Saloni i Kolegjit Saverian me 450 vende.
2. Saloni i Shkollës Françeskane me 300 vende.
3. Saloni i Shkollës Stigmatine me 250 vende.
4. Saloni i Shkollës së Parrucës, ndërtuar për kino- teatër me 400 vende.
5. Kinoteatri “Rozafat” me 400 vende.
6. Saloni i Shoqnisë “Bogdani” me 350 vende.
7. Saloni i Shoqnisë “Vllaznia” me 400 vende.
Këto salone a kino- teatër, që ishin të njikohëshme në Shkodër, me ndërtesa që kanë ekzistuar deri edhe pas çlirimit të vendit, numëronin 2550 vende, aq sa sot, nuk i kanë thuajse të gjitha teatrot kryesore në Shqiperi. Shkodra e asaj kohe, nuk kishte kisha sa kishte salone teatri.
Mbas luftës filloi veprimtarinë e vet grupi amator teatror i Shtëpisë së Kulturës Shkodër, institucioni i parë që u ngrit që më 18 janar 1945 . Në vitin 1949 ngrihet trupa profesioniste e teatrit të dramës “Migjeni”, pikërisht në ndërtesën ku dikur ishte Saloni i Kolegjit Saverian.
Shkurt e drejtë, Teatri “Migjeni” si trupë profesioniste, sivjet, në 2024- n mbush moshën 75- vjeçare, pa ndal një ditë punën e tij, në qytet, në fshat, në të gjithë vendin, madje edhe në Kosovë, se tash, do vite të mira edhe në Ballkan e gjetkë.
Dita e sotme.
E pra, more rrenacak, si mund të “shkrihet” Teatri “Migjeni” , jo kurrë , ai do të jetojë sa të jetë në këmbë nji shkodran i vetëm, sa të jenë në përjetësi plejada e artë e aktorëve, regjisorëve, punëtorëve dhe mbështetësve të skenës, që janë ndarë këso jete me bindjen se vepra e tyre do të rrojë.
Në këto 10-15 vitet e fundit, “Migjeni” ka realizuar vepra të mira të dramaturgjisë kombëtare dhe të huaj, pak të përmendim si “Kandili i Argjandt”, “Kumarxhiu”, “Dome” e mjaft të tjera.
Por teatri i Shkodrës, si shumë të tjerë në vendin tonë, është në krizë për aktorë, regjisorë, dramaturgë, skenografë etj., dhe ky është nji problem i madh, mungesa e këtyre elementëvë që dikur i pat me bollëk.
Vetëm pak ditë më parë, vetë punonjësi i arshivës së teatrit, që padyshim është arshiva më e pasur dhe më skrupuloze në vendin tonë (edhe ajo e Tiranës, nga Gjon Karma është ngritur dhe pasuruar ), në rubrikën e tij periodike lajmëronte:
“65 vite më parë, më 11 janar 1959, në skenën e Teatrit” Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran premiera e re me titull: “Dy binjakët Venecian”. Komedi me 3 akte nga Goldoni. Kjo komedi u shfaq 23 herë gjate një periudhë rreth 20 mujore, me një shikueshmëri prej 14.300 spektatorësh”.
Nji matematikë elementare: duke pjestuar numrin e spektatorëve në 23 shfaqje del: 14300:23=622. Do të thotë, Teatri “Migjeni” çdo natë ishte plot. I bie që në teatër shkonte 35% e popullit të Shkodres.
Po sot, si mos mà keq!
Teatri është në krizë në të gjithë Shqipërinë, edhe jashtë por ne kemi nji problem të madh, disiplina në punë, aty çalon, fillohet pa orar, fillimisht te “Te Teatri”, pasi ngrohen me pak raki e kafe, nëse kalon shumë kohë, mund të vazhdohet edhe nesër me provat…!!
Këto dhe të tjera, përfshirë edhe rrogat e vogla, janë probleme mbrenda institucionit. Këtu “fshihet lepuri” për shkrirjen e teatrit që rrenacaku ma tregoj në Bahçallëk ku e besoi rrenën e tij!
Ka edhe një të vertetë , “shkrirja” ka edhe aspekt të luftës politike në Shkodër, fillimin e mirë dhe të shpejtë të punëve të Bashkisë së Benet Becit, koha e bukur që na pret përpara me investimet e planifikuara për këtë 4 vjeçar, ndërhyrjet përsëri me investime në Teatër dhe në sheshin para tij që do të rikualifikohet dhe do të emërtohet më një emër artisti të madh, e bëjnë “rrenacakun”, të shfrejë, të bërtasë, të inatoset.
Asgja nuk do të ndodh, do prishet një rehati e brendshme e teatrit, do shkunden aktorët të punojnë, do administrohet buxheti dhe rishpërndarja e të ardhura nga biletat dhe aktivitetet ndihmëse.
Në Shkodër, një Migjen është prishur, ai i Teatrit do jetojë dhe do prosperojë! Le ta festojmë 75 vjetorin e Teatrit profesionist “Migjeni” me ngarje të bukura si i shkon për shtat Shkodrës tonë! /Nga Leonard QYTEZA, publikuar në Facebook/