Parantezë : A do isha e lumtur edhe pa këtë status? PO! Por fjalën e lirë e kam më të shenjtë se çdo simbol partie! Ndoshta kjo është arsyeja pse nuk do më shihni kurrë aty ku e kam àndrrën!
Kush më njeh, e di mirë sa herë kam ngritur zërin dhe kam qenë pjesë e protestave kur i kam parë të drejta duke mos pasë e kërkuar kurrë asgjë në këmbim , sepse për mua interesat e qytetit tim janë më të rëndësishme se ambiciet e mia. Nuk kam qëndruar kurrë indiferente dhe gjithmonë kam reaguar kur gjërat kanë shkuar keq.
Por sot, më duket e padrejtë që sulmohet kryebashkiaku aktual për një problem që nuk është i krijuar prej tij, por një trashëgimi e hidhur që i është lënë Shkodrës. Prej shumë vitesh, qyteti ynë është mbajtur peng nga bandat kriminale që kanë operuar të pandëshkuara dhe kanë pasur mbështetje të drejtpërdrejtë nga nivelet më të larta të politikës. Disa kryebashkiakë madje merrnin vendime nga oborret e tyre!! E di që kam bindje të ndryshme politike nga kryebashkiaku aktual, por kjo nuk më pengon të pranoj përpjekjet e tij për të përmirësuar situatën në Shkodër.
Nuk është e drejtë që ai të mbajë mbi supe përgjegjësinë për një gjendje që është krijuar shumë përpara tij. Shkodra ka nevojë për një të ardhme më të sigurt dhe të lirë nga ndikimi i krimit të organizuar. Prandaj, jam shumë dakord me marshimet dhe protestat, sepse ato janë një thirrje e sinqertë për një qytet më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë ne.
Megjithatë, është e qartë se Partia Demokratike ka nevojë urgjente për një ndryshim në gjuhën politike – një gjuhë më të qartë dhe konstruktive që të përfaqësojë realisht interesat e qytetarëve, përtej retorikës dhe sulmeve pa një qëllim konkret! Kush do të kuptojë e din! Kush do të keqkuptojë “go ahead and make my day”! /Nga Lola CERKU, publikuar në Facebook/