Thonë se ai që mbante mbyllur nënën, gruan e fëmijët, që u kishte instaluar kamera brenda e jashtë shtëpisë, që i dhunonte, ka probleme mendore. Çudi! Si vallë nuk mbylli veten në banjë dhe ta ruante me 1 mijë kamera? Si vallë nuk i ra murit me kokën e tij, po dhunonte familjen e tij? Si vallë nuk u kyç vetë brenda, po burgosi njerëzit më të dashur?! Nuk ka probleme mendore, jo! Është thjeshtë monstër.
Por ngaqë veprimet e tij kalojnë kufijtë e të pranueshmes, nuk dimë ç’emër t’u vemë dhe me sa duket gjejmë thjesht “problemet mendore”, duke i barazuar në këtë rast monstrat me njerëz vërtetë në nevojë dhe të sëmurë. Ky nuk ishte rast i papritur. Pothuaj përditë zbulohet nga një i tillë i ngjashëm. Ku dhunojnë gruan, ku dhunojnë fëmijët, ku kërcënojnë një vajzë me foto, ku pedofilët bredhin me vrap t’i shpëtojnë kamerës, diku burreca supremacistë nuk gëlltiten dot se i drejton një grua…Janë kaq shumë!
Dhe gjithë ankthet, paburrërinë, frikërat, mungesat, pabesitë, mangësitë, injorancën, paaftësitë, mossuksesin e zbrasin me fjalë të ulëta, me veprime të ulëta, me dhunë, me pisllëk. Nuk mbijnë çuditshëm jo! Janë pjellë e jona! E kësaj shoqërie të egër, të dhunshme, e pothuaj të paaftë t’i zbojë përtej e t’i përçmojë. Sepse diku, fshehur në një skutë, pas një fytyre të qeshur, pas rrobave të bukura, fshihet një tjetër monstër që i pëlqen fjalët, veprimet e dhunën dhe pret rradhën e vet.
Nuk janë të sëmurë mendorë! Janë monstra që duhen larguar nga qarkullimi me ligjet më të ashpra. Dhuna ndaj gruas, edhe kur është vetëm me fjalë, duhet trajtuar si krim i rëndë, pas zbutje me manovra avokatësh e receta doktorësh. Ndryshe monstrat sa do të vijnë e do të shtohen. /Nga Manjola ARIZAJ ZEKA, publikuar në Facebook/