A e ke numrin e Ilir Broqit? Jo për metaforë, por kjo pyetje mund të konkurrojë çdo ditë me “si ke njeh” në Malësinë tonë…
Nga Vermoshi në Kastrat, në Shkrel, në Koplik, Gruemirë e me radhë…nuk ka burrë e grua, vajzë e djalë, motër e vëlla që nuk i kanë rënë të paktën një herë këtij numri, që nuk kanë gjetur tjetër qetësi për njeriun e tyre të sëmurë, përveçse tek doktor Iliri, që nuk kanë pasur një tjetër “ikonë” ku të falen përveçse Broqit zaamël e qetësues.
Për 25 vjet… Edhe t’i numërosh ditët, duke ndenjur, janë kaq shumë, e diku mërzitesh, ndërsa ai burrë, ai djalë Malësie kurrë nuk u vrenjt, telefonin e tij kurrë kërrkush nuk e gjeti mbyll, asnjë malësor nuk ia dëgjoi fjalën e keqe. Edhe fëmija të thotë njëherë “s’dua” e edhe prindi thotë dikur “s’mundem”; por jo Ilir Broqi.
Nëse është ditë, a natë, nëse është borë a Diell përvëlues, nëse është në QSUT aty ku punon, apo me familjen teksa pushon, nëse në krahun tjetër flet një malësor/e, ai është i gatshëm, ai ta heq hallin nga supet e tu dhe e merr në supet e tij.
Ty të mbetet veç të presësh telefonin e tij që të sqaron e të qetëson, aq thjeshtë, aq qartë, aq kujdesshëm sa të duket se i sëmuri yt u shërua e tashmë të mbetet veç ta marrësh në shtëpi. Sa herë e kanë uruar këtë njeri?! Sa herë e kam uruar unë vetë e të mitë. Nuk mbahet mend.
Pak prej nesh malësorëve kanë kaluar në duart e doktor Ilirit, por pothuaj të gjithë kemi gjetur shpëtim nga fjalët e Ilirit njeri, malësorit tonë në QSUT. T’paçim doktore… /Nga Manjola ZEKA ARIZAJ, publikuar në Facebook/