Po të ishte gjallë Kolin Gjoka, do të mbushte 57-vjeç! Familja, shokët, miqtë dhe të afërmit e tij, do t’i festonin ditëlindjen. Por, nuk qe e thënë të ndodhte kështu, pasi një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme do t’ia priste jetën në mes, së bashku me ëndrrat dhe dëshirat, të cilat i kishte të shumta.
Prej vitesh, i mungon familjes, bashkëmoshatarëve, studentëve, PDSH dhe Forumit Rinor të saj, të gjithë atyre që i deshi dhe e deshën aq shumë anë e mbanë Shqipërisë e më tej. Ai i mungon Shkodrës, Tiranës, Vlorës, Lezhës, Mirditës, Kosovës… Na mungon të gjithëve!… Edhe pse Kolin Gjoka nuk jeton më fizikisht, ai do të mbetet i paharruar midis nesh, sepse e tillë ka qenë veprimtaria e tij, në shërbim të idealeve dhe kauzës që ai përfaqësonte dhe mbi të gjitha, në shërbim të vlerave të vërteta njerëzore.
Ai ishte ndër ato politikanë, që art deri në perfeksion kishte fjalën me të cilën komunikonte me bashkëbiseduesit. Falë dhuntive të spikatura që posedonte shumë shpejt mundi të formësojë profilin e një intelektuali, shkencëtari dhe politikani të mirëfilltë, që i duhej të tashmes dhe të ardhmes, që fatkeqësisht nga një sëmundje e pashërueshme ju pre në mes.
Pjesë vitale e aktivitetit të tij, ishte kontributi në politikën shqiptare dhe veçanarisht në Partinë Demokratike Shqiptare, që prej krijimit të saj. Për të qenë bashkëudhëtarë me të, derisa i pushoi së rrahuri zemra e tij.
Kolin Gjoka, ishte njëri prej më të spikaturëve të brezit të vet, me kontribut sa të vlefshëm, aq dhe të madh, në Lëvizjen Studentore dhe Demokratike të viteve nëntëdhjetë, që quan më pas në themelimin e pluralizmit politik shqiptar. Gjithashtu ai ishte ndër avokatët më të spikatur i fjalës së lirë, që aspironte për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, të integruar në Evropë, vend të cilit, ne shqiptarët i përkasim.
Ndonëse fizikisht nuk jeton më, ai tek ne ka lënë një emër, për më tepër një emër të mirë, ndaj të cilit të gjithë ne, duhet të përlulemi me respekt dhe krenari, pasi kështu respektojmë vlerat më njerëzore dhe humane. Mbi të gjitha kujtojmë dhe vlerësojmë mikun dhe shokun tonë të dashur, fort të nderuarin, të ndjerin Kolin Gjoka…
Ajo çfarë ne sëbashku mund të bëjmë për ato që nuk jetojnë më, por që kanë mundur të lënë gjurmë tek ne, është kujtesa ndaj tyre dhe angazhimi i përbashkët për të realizuar me fisnikëri ëndrrat dhe apiratat e tyre…
Përmasat e aktivitetit dhe kontributit të Kolin Gjokës, në shërbin të dijes, politikës, emancipimit, qytetërimit dhe integrimit, kanë qenë dhe do të mbeten shumë të mëdha, pasi së gjalli ai ishte modeli i një individualiteti të spikatur të brezit të vet, që edhe pse jetën e pati të shkurtur, mundi të lërë gjurmë në të gjithë Shqipërinë, kudo ai shkoi dhe punoi.
Në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij, të gjithë ne ndjejmë krenari që pjesë e qenies tonë, dinjitetit tonë, nderit dhe krenarisë tonë, është sërish jeta dhe vepra e të ndjerit Kolin Gjoka, të cilat do të mbeten përjetësisht të paharruara për ne.
Kolin Gjoka lindi në Ishull- Lezhë më 19 Tetor 1966, në një familje të respektuar dhe me traditë. Ai u rrit dhe u edukua nën ngrohtësinë e prindërve të tij Hilë dhe Dila Gjoka, dhe dashurinë e vëllezërve dhe motrave të tij. Fëmijërinë e kaloi në Lezhë ku dhe do të niste udhën e dijes. Përfundoi gjimnazin “Hydajet Lezha” me rezultate të shkëlqyera në vitin 1985, për të vazhduar më pas universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Natyrore në degën Matematikë Speciale. Në vitin 1990 pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Tiranës, ai, do të fillonte punë si asistent petagog në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi” dhe në vitin 1992, punon si përgjegjës katedre, në këtë universitet. Në vitin 1995 specializohet në Universitetin e Firencës, në kuadër të programit TEMPUS, dhe në vitin 1996, punon si petagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër.
Kolin Gjoka ishte një nga të rinjtë me një kontribut maksimal dhe aq dhe të vlefshëm në PD. Për kontribut të veçantë në lëvizjen studentore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër me dekret Nr. 1436 datë 29.03.1996 të ish Presidentit Sali Berisha, ai dekorohet me Medaljen e Trimërisë, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në lëvizjen antikomuniste, në universitetin Luigj Gurakuqi Shkodër”.
Një aktivist i palodhur politik, Kolini është një nga themeluesit e PD në Shkodër. Ai ishte anëtar i PDSH, që prej vitit 1991. Në vitin 1993 zgjidhet anëtar i kryesisë së PD Shkodër, në vitin 1995 zgjidhet kryetar i Forumit Rinor të PD Shkodrës. Po në vitin 1995 ai është anëtar i kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike Shqiptare.
Në vitin 1996 Kolin Gjoka, zgjidhet deputet i parlamentit shqiptar si një nga përfaqësuesit më të rinj të këtij parlamenti. Momentet e vështira të vitit 1997 e gjetën Kolin Gjokën në krye të fushatës së riorganizimit të strukturave të PD, Shkodër, demokratët e së cilës e zgjodhën nënkryetar të degës, detyrë të cilën e kreu me devotshmëri e përkushtim. Po në këtë vit, Kuvendi i VI-të i PDSH e zgjodhi anëtar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Shqiptare.
Një jetë dhe aktivitet të gjërë Kolin Gjoka, kishte edhe me shoqata e organizma të tjera, duke kontribuar në BSPSH në Universitetin e Shkodrës. Ai zgjidhet kryetar i kësaj sindikate në vitin 1993 dhe në vitin 1995 nënkryetar i SPAL (Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë të Shqipërisë). Në vitin 2000 Kolin Gjoka, u zgodh kryetar i FRPSH në Kuvendin e VI-të, të këtij forumi.
Gjatë një periudhe gati 2-vjeçare, ai drejtoi FRPDSH duke shkelur në çdo cep të Shqipërisë për t’u takuar me të rinj dhe studentë, për të diskutuar e debatuar me ta mbi situatën në cilën ndodhej vendi. Mijëra të rinj kanë diskutuar me Kolinin nga Tropoja në Himarë, duke parë tek ai petagogun energjik, një politikan të ri, i cili përfaqësonte më së miri vlerat e të rinjëve demokratë shqiptarë.
Kolin Gjoka, ishte kandidati i PD për deputet në Mirditë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 24 qershorit të vitit 2001. Gjatë fushatës elektorale preku dhimbjen e çdo familjeje dhe banori të zonës dhe ishte i riu i shpresës për të gjithë mirditorët, dhe në fakt ishte deputeti real i Mirditës. Kur u kandidua për deputet në zonën elektorale 14 në Mirditë i’u drejtua votuesve dhe mbarë Mirditës me logon: “Mirdita krenaria e gjakut tim” e unë si mirditas, besoj dhe shumë të tjerë si unë e kemi për krenari të themi se “Kolini do të mbetet krenaria e gjakut tonë”. Pasi ai ishte dhe do të mbetet një intelektual i niveleve të larta, politikan vizionar, pedagog i shkëlqyer. Thënë ndryshe: – Një shqiptar i madh!…
Ai u nda nga jeta më 01.02. 2002 por, Kolin Gjoka është një nga ata të rinj që emri i tij kurrësesi nuk mund të humbë, pasi është pjesë e jetës tone sërisht, sepse fjalët e tij miqësore, ngrohtësia, dashuria dhe respekti për familjen, miqtë, dhe shokët, mbeten në përjetësinë e tyre për të pasur pranë djalin energjik që dha aq shumë për demokracinë në Shqipëri dhe vlerave të saj.
Këshilli i komunës Kallmet në mbledhjen e tij të datës 15.08.2002, e ka shpallur “QYTETAR NDERI” Kolin Gjokën, pas vdekjes me motivacionin: “Për kontribut të shquar intelektual në fushën e arsimit, shkencës dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri nga viti 1990 deri në vitin 2001”.
Në 40-vjetorin e lindjes së të ndjerit Kolin Gjoka, në shënjë kujtimi dhe respekti ndaj vlerave dhe kontributit të tij, shkrova librin: “Të njohëm mos me t’harrue”, duke kryer një shërbim modest, dhe trokitur në memorien e shumë e shumë shokëve dhe miqve të tij anë e mbanë Shqipërisë e më tej, të cilët e kanë dhe do ta kenë në përjetësi kujtimin ndaj tij, ashtu siç dhe familja dhe të afërmit. Në 1-vjetorin e vdekjes në bashkëpunim me televizionin lokal “Lezha Tv” realizova dokumentarin televiziv: “Një jetë e shuar në mes”, i cili u transmetua nga mediat lokale dhe kombëtare, duke u mirëpritur dhe vlerësuar nga shikuesit.
Me datën 6 Mars 2006, Këshilli i Bashkisë Lezhë i dha emrin “Kolin Gjoka” Shkollës së Mesme Profesionale të qytetit të Lezhës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale Lezhë, nën dretjimin e z. Pashk Biba në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës qe i’u dha emri “Kolin Gjoka”, bashkinë dhe këshillin e bashkisë Lezhë, organizoi festën e 7 Marsit të këtij viti, me një aktivitet të veçantë kushtuar Kolin Gjokës. Gjithashtu Partia Demokratike e Lezhës dhe forumimi rinor i saj, si dhe ish komuna Kallmet, kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh në nderim të tij.
Thënia proverbiale “Vdiq për t’u amshue”, shëmbëllen si një mantel princëror për Kolin Gjokën… Karriera e Tij e shkëlqyer shkencore-arsimore, e pse jo edhe ajo politike, fushë e cila e lartësoj atë deri në majat më të larta të saj, bënë që Kolin Gjoka të mbesë figurë brilante, jo vetëm në trevën e ndritshme të Kallmetit, por dhe në shkallë Kombëtare.
Duke “përfundue”, për të mos përfundue, Kolin Gjokën e shohim në vijueshmëri të përhershme si, “Deputet” i së vërtetës…, si “Kryetar” i mendimit rinor të FRPDSH…, si “Qytetar Nderi” i Kallmetit dhe Lezhës, i stolisur me “Medaljen e Trimërisë”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Në të njejtën kohë, të gjithë ne e shohim Kolin Gjokën, si përjetësi dhe pavdeksi të vlerave të vërteta njerëzore… /Nga Martin DEDAJ, autor i librit: “Të njohëm mos me të harrue” dhe dokumentarit televiziv: “Një jetë e shuar në mes”, kushtuar të ndjerit Kolin Gjoka/