E mbylli jetën gjashtëdhjetë vjeç.
Sa Xhemal Kashogi (Jamal Khashoggi), që e bënë pluhur në Stamboll, në konsullatën e vendit të vet. Të vendit ku një princ i zotëron të gjitha pushtetet.
Nuk njiheshim. S’e kisha ndjekur në televizion. Herë pas here i kisha lexuar ndonjë shkrim rastësisht, kaq.
Vetëvrasje?
Ylli Manjani shkroi se Myftaraj paskesh qenë i paditur në gjyq nga Edi Rama. Dhe Kastrioti i vetmuar po kërkonte avokat. Një jurist të zotë, me e mbrojtë përballë kryeministrit. Përballë princit që i ka në dorë të gjitha pushtetet. Një jurist që të ketë edhe përmasat e intelektualit luftarak.
Vetëvrasje?
Dihet: i dole në rrugë Edi Ramës, qorrfermani ka dorë të rëndë. I çon gazetarët “për riedukim”. Për një llaf goje. Për një pyetje.
Ata që e kanë lexuar, thonë se z. Myftaraj qe kontravers. Por nuk merrte porosi nga tepsia. Porositë i merrte nga mendja e vet. Nuk mbante kënd me hatër. Me hatër mbante lirinë e fjalës. Edhe kur kishte, edhe kur s’kishte të drejtë për çka thoshte.
Vetëvrasja e tij të kujton rrëzimin e hoxhës nga minarja.
Ra vetë, thanë. Iu morën mendtë.
Përnjëmend ra vetë?
Po, vetë. Unë i dhashë vetëm një shtyme të vogël.
Një profesor i kriminalistikës shtroi në media njëzet e një pyetje për ngjarjen.
Do të zbardhen përgjigjet?
Zotit Myftaraj po i “merreshin mendtë” prej sëmundjes së rëndë.
Mund të ketë shërbyer padia e kryeministrit të krejt pushteteve si ajo “e shtymja e vogël” për hoxhën?
Kjo është pyetja e 22-të. /Nga Mehmet ELEZI, publikuar në Facebook/