Në Torino kirurgu nga Shkodra, Naraçi, operonte edhe 10 fëmijë në javë që vinin nga gjithë bota me defekte në zemër… Me krenari i thoshte Adrianos këtë fakt: Shpëtojmë fëmijë nga e gjithë bota.
Adriano i përgjigjet: Po fati i fëmijëve shqiptarë, janë me keq se zezakët, vetëm me shoqata e bamirësi? Të paktën një herë në javë, pse nuk vini të jepni asistencë?! Asistencë mjekësore.
Sapo na kishte vdekur një nip nga defektet në zemër. U përpoqëm shumë ta nxirnim jashtë shteti, por nuk ishte e shkruar, thotë populli. Ishte jashtë listës.
Pretendojmë akoma në 2024 që fëmijët tanë të na i shpëtojë bota. Dhe bërtasim me të madhe që jemi evropianë. Jemi të zhvilluar… Jemi të zhvilluar, por qendrat tona mjekësore janë për numër. Jemi të zhvilluar, por urgjencat tona i dërgojnë të sëmurët në Tiranë. Prandaj dhe në vend të specializojmë mjekët tanë, ndërtojmë rrugë nga Ulaj. Normalisht rrugë me pagesë, a thua se jemi ndonjë shtet me përmasa gjigande.
Kirurgu Edi Smajli ka bërë një ndërhyrje delikate në zemer dhe i ka shpëtuar jetën një 33- vjeçari. Ja pra që mrekullitë ekzistojnë edhe me rroga qesharake.
A e imagjinoni çka do të thotë, të kesh jetën e tjetrit në dorë?! Është si të kesh një bombë dore që sapo i ke hequr kapakun. Nuk duhet me të shpërthy në dorë kurresesi. Kirurgu bën përpjekjet madhore edhe kur bomba i shpërthen. Dhe ai transformohet në Zot ose në vrasës. Është përgjegjësi e madhe!
Por sistemi ynë këtë nuk e ka marrë akoma përsipër. Ju nuk mund të imagjinoni çfarë jete bën një mjek që nga bankat e shkollës. I dedikuar totalisht profesionit. Gjithmonë me pulsacione e ankthe. Këtë sistemi ynë nuk e merr parasysh. Shkarkon gjithë fajin e përgjegjësinë tek ndonjë mjek biznesmen që nuk e bën më dallimin mes mjekësisë dhe biznesit. Është dallim i madh që vetëm një administrim modern e sistemon.
Sillemi si halabakët me të gjithë mjekët… Po kontributet mezi i paguajmë. Na pëlqen të punojmë në të zezë. Rrogat nuk i deklarojmë sa duhet. E në fund fare, edhe ajo që paguajmë shpërndahet shumë keq, për mos thënë se humbet në labirintet e pandërgjegjes. Nëse shteti nuk është në gjendje të kërkojë llogari, aty ku kartelat mjekësore e të sëmureve janë me zhgarravina, aty ku mjeku lë detyrën për klinikën private, aty ku mjeku grabit ilaçet për qejfet e tij, shteti nuk ekziston.
Por për çfarë shteti modern flasim pa aparatura moderne?! I vjedhin aparaturat!? Burg dhe shembull imediat për atë që e bëm këtë krim. Kontroll dhe përgjegjësi! Keni parë të bëhen ndonjiherë kontrolle në sistemin spitalor duke përfshirë dhe inventarin e pajisjeve. More keni keni parë e dëgjuar për mbledhje në spital, konsulta? Është një sistem totalisht i shthurur! Ka privatësi por jo të abuzohet me të!
Jeta e njeriut në një sistem social të zhvilluar, nuk është më çështje vetëm private por përgjegjësi që duhet ndarë nga të gjithë. Në një shoqëri moderne, përgjegjësia fillon nga vetja! Prandaj ti nxisim institucionet të bëjnë detyrën e jo të gjuajmë me gurë bluzat e bardha! /Nga Merita BEKTESHI/