Kryeministri Shqipërisë dje nxorri videon e pisllëkut në Bashkinë Shkodër. Gjendja e brendshme në bashkinë e qytetit tonë, sipas kryeministrit e ka një kuptim. Që kur një njeri nuk rregullon shtëpinë e vet, nuk mundet me regullu Shqipërinë… Përveç kësaj, ai na bëri të njohur pikën zero nga ku do fillojë ndryshimi në Shkodër…bashkia…
Të gjithë ne e shpresojmë këtë ndryshim, pavarësisht bindjeve tona politike. Që ishin grumbulluar parazitë në bashkinë Shkodër, kjo nuk ka pikë dyshimi. E djathta nuk i ka dhanë kurrë vendin e duhur bastionit të saj 30- vjeçar .E normalisht që njerëzit do votojnë partinë e
Tom Doshit, sepse sot në Shkodër dominon kriteri i mbijetesës, ai i ma të fortit, për me zgjidh problemet, edhe ato personale.
Personalisht, kam provuar disa herë, me ndihmën e profesionistëve të huaj nga bota, të jepja kontributin tim në zhvillimin e qytetit tim por ishte e pamundur të krijoje një bashkëpunim me këtë bashki. Na është refuzuar hapur edhe kontributi disa herë me mendjemadhësi dashakeqëse.
Sot duke parë gjendjen në të cilën ndodhet kjo bashki them, paskam qenë me fat gjithsesi, sepse nuk kisha se si ta ndryshoja këtë politikë, krejt e vetme, kështu që punova fort me veten, për familjen, duke transformuar ambjentin rrotull vetes, sipas parimeve të mia, të patjetërsueshme në çfarëdolloj rrethane.
Boshti që unë vendosa si kushti nr. 1, në ekzistencë- rezistencën time pas ’91- it, ishte vazhdimi i qendresës demokratike, sepse unë mendoj që nuk ka ekzistencë demokrate kur shkelet drejtësia sociale. Pikërisht kjo ndodhi me Shkodrën, e privatizuar nga mentaliteti i hakmarrjes sociale për qëllime përfitimesh private.
Kam preferuar të krijoj një ekzistencë të pavarur ekonomiko- ideologjike, edhe pse mundi dhe sakrifica ime kanë mbetur në kuadrin e stabilitetit. As nuk bëhej fjalë për realizim objektivash.
Në Shkodër korrupsioni i pushtetit shkoi deri në atë pikë sa që ishte shumë vështirë të mbaje një aktivitet privat pa përkrahje politike. Kishte ndonjë element të veçuar në organet administrative në qytet, që mundoheshin të krijonin një klime bashkëpunuese me qytetarët por ata përdoreshin thjesht si kopërtinë e pushtetit në Shkodër, për buzëqeshje.
Unë kam vite që denoncoj në media gjendjen e vështirë ekonomiko- sociale që ka shkaktuar migrimin dhe emigrimin e pafund të shkodraneve, jashte Shkodre, si ajo e gjithë shqiptarëve.
Sot unë mendoj që kryefjala e ndryshimit të kursit qeverisës në Shkoder është bashkëpunimi dhe transparenca, jo propaganda… Shkodra nuk asht miss eleganca! Deri sot, simbol qendrese, sot simbol i Shpresës! La ta fillojmë ndryshimin e madh nga Shkodra… Të gjithë bashkë e larg urrejtjes…! /Nga Merita BEKTESHI URBANO/