Po vazhdoni me u tall me zotnillëkun tonë! Veriorët kanë karakter të fortë, janë mësu me e fitu bukën me krahët e tyne. Prejt kujt do prisnin veriorët, prej shtetit? Cilit shtet? Shtetit të horrave? Tradicionalisht qeveria lokale në Shkodër ka kenë marionetë e qeverive qendrore. Kanë ba si u ka dasht qejfi, për interesat e tyne dhe të grupeve oligarke. Asht e natyrshme që nji administratë kaq e korruptume që e hedhte vallen, sa me nji qeveri e sa me tjetrën, nuk e ka pas asnji dëshirë me punu për qytetin e vet e për popullin e vet, sepse nuk ka pasë asnji lloj ideali përveç se mirqënien personale.
Një servilizëm i paparë politik që kurrë nuk e ka karakterizu popullin fisnik shkodran, ka stabilizu nji elitë të shkëputun totalisht nga problemet lokale, një elitë kafesh e kazinosh, elita e Budvas, se edhe lekët e vjedhuna nuk i shpenzojnë në vendin e tyne, që ka mbetë shum i pazhvillum. Velipoja, plazhi ma i shëndetshëm n’Shqipni, në duart e njerëzve të vegjël, me interesa të ngushta dhe kriminelëve ordinerë, ka ngelë si nji nuse e bukur pa nusërim…
Janë vetëm dy kandidatë, vetëm dy, për Shkodrën tonë. Prap Shkodra fisnike e uli kryet e nuk u përzi në sherrnajat politike, pa pikë interesi, sepse sherri s’ka zhvillim.
Shkodra ka do kokrra që merren me punët e shtetit, apo janë marrë me punët e shtetit e i shkojnë mbrapa partive politike, sepse janë mësu me qylin, sa andej, sa ketej, tjetër alternativë nuk kanë. Sjellja e dy kandidatëve për kryetare bashkie, duke seleksionu thellësisht elektoratin, asht pikërisht vazhdim i politikës së vjetër anashkaluese për Shkodrën e shkodranët. Këto nuk janë zgjedhje politike. Janë administrative.
Bardh Spahia, në mbledhjet e tija, nuk ka ndryshu asnji vizë me politikën e vjetër, biles janë të njëjtat fytyra që sillen si të privilegjuarit e elitës… Për mos me fol me Benetin që si shkodran i vërtetë, ka mbetë në Malci të Madhe që tradicionalisht e ka hedh vallen nga e majta në të djathtë.
Shkodra, e izolueme nga politika, nga vetë Shqipëria. Shkon ma shpejt n’ Podgoricë se në Lezhë. Shkodra që i jep drita tan Shqipnisë, gjithmonë nën frikën e përmytjes. Shkodra e malcorëve, tan jetën të hjekun keq e të munduem, nën frikën e vdekjes nëpër rrugë pa rrugë.
Shkodra ,e rrethueme tana anët me ujë që i vjen uji n’ derë të shpisë por s’ka ujë në çezme, veç truma. Shkodra me ujnat e zeza që derdhen pa u filtru në liqen e në lumenj. Dojnë taksa, po për çka? Shkodra ku 4 oligarkë që ja kanë vue kthetrat n’fyt dhe e mbajnë si kolateral, për mos me ja prek kush sarajet, përndryshe bahet nami në Shkoder, se shkodranët s’durojnë. Oh sa durokan shkodranët!!!!
E këta nxjerrin do projektet të bukura për pencionista, me stola e kalldrëm për me lujt domino… Por Shkodra e ka seriozisht, a e kuptojnë këto dy qytetarët e nderuem? Shkodra don projekte të vërteta, investime, rrugë malore, financime të artit, arsim e kulturë… Shkodra don drejtësi dhe vendosjen e një kulture pune paralele me nevojat e qytetarëve e jo meshirë për kërkesat ma minimale sociale.
Shkodra nuk asht fundi i Shqipërisë me u ushqye me mbetje por asht derë shumë e afërt me oksidentin. Shkodra don me ecë përpara, me ato që duan shkodranët, jo me përrallat e Aladinit… Prandaj, ta dini diçka, ne po ju shohim, po ju vëzhgojmë, ju shohin edhe ata që e kanë të vështirë që t’ju besojnë, prandaj mendohuni mirë përpara se të premtoni, se ka shku thika n’koc… e shkodranët nuk durojnë ma…/Nga Merita BEKTESHI URBANO, publikuar në Facebook/