Nji mendim i shkurtë mbasi lexova nji postim në FB tek nji grup ku nuk mujsha me komentu, ndoshta se nuk kam friend postuesin. Po bashkëngjis edhe nji screenshot të atij postimi tuj kërku falje për ndoshta mungesë etike (Po e shkruj jo shkodranisht qi t’ kuptohet prej të tanve).
Mendimi im si qytetare e Shkodrës, si taksapaguese e rregullt dhe që ka ndjeshmerinë qytetare për objektet publike të qytetit, them se duhet të ishte thjesht restauru versioni fillestar si tipologji e arkitekturës sovjetike që zuni vend në qytetet tona pas 1944 si një shfaqje butaforike e godinave publike ku qëllimi kryesor ishte prezenca e hyrjes sa me pozante, por dhe stilizimi ideologjik i kohës.
Ta marrim si shtresë historike e kaluar në këtë vend, në mënyrë që dramat dhe traumat e perjetuara dikur të mos përsëriten sërish. Sipas mendimit tim modest, edhe meremetimi i kryer vite ma parë ka qenë shumë i shëmtuar (në mënyrë jo formale kam reaguar edhe atë kohë) ndërsa ky aktual nga ana profesionale është plagjiaturë mediokre (plagiaturën në foto më poshtë) që nuk i lejohet as një studenti të vitit të I- rë arkitekturë. Qasja për ti përçu publikut shije dhe eksperimente ku memoria historike “fillon me mua” është shumë e gabuar.
Per arkeologët, historianët dhe gjithologët e Facebookut që mendojnë se asht ngjyra ma e vjetër në botë, argjila e zakonshme duke përmbajt okside hekuri, të cilat kur piqen n’ furrë i japin produktit ngjyrën e tij karakteristike të verdhë- kuqërremtë, filloi si teknikë gati 30 mijë vjet më parë, kur nuk egzistonte as Europa si entitet gjeografik, se vendi jonë e aq ma tepër Shkodra jonë e dashur, jo e jo.
Kështu që më vjen të them: ku terracota, ku filmi e ku fotografia. Të bërit bashkë e gjitha këtyre, i ngjan një amalgame turbofolku ballkanik shijesh që realisht fyen dhe vetë kontributin e madh të Idromenos e Marubit, që për shkollim që kanë patur e kanë njohur terracotën para nesh ku e ku.
P.S.: Mos u mundoni me më thanë pse s’ ke reagu edhe ma parë etj., etj. Si përgjigje ju them: Kam reagu në të gjitha rastet që kam mendu se nuk përputhet me të drejtën, sipas ligjit dhe sipas meje, sepse kam kenë pjesë e administratës dhe me kontributin tem modest dami ka kenë ma i vogël…
Në takime, në zyrë etj., etj…s’ kam pasë nevojë me ba postime në FB. /Nga Merita KAZAZI, publikuar në Facebook/