Majin e vitit të kaluar, kur sapo ra vala e parë e pandemisë, më dërgoi një mesazh në telefon.
-Mos posto më foto nga fshati me lule të kuqe lofatash se do të çmendem. Po rri si i burgosur brenda katër mureve.
I thashë të bënte gati valixhen se po shkoja ta merrja. Të nesërmen udhëtuam bashkë në Jug. Kur kaluam në Qesarat më tha ti bija fort borisë së makinës.
Nuk e kuptova çfarë donte tamam. Por ai nuk donte te humbiste kohë. Vuri vet dorën tek boria dhe e mbajti gati një minutë shtypur. Tërbuam dynjanë.
-Ça të gjeti i thashë?
-Dëgjon Qazimi,- më tha. Sa herë kaloj këtu i bie borisë dhe ai dëgjon.
Qazim Shemja dhe Ilirjan Zhupa ishin jo vetëm dy miq të tij, por të tre bashkë ata kishin formuar një treshe kombëtare që kish ngritur flamurin e poezisë më cilësore në vend, në një prej trevave të Shqipërisë në Jug.
Ndenjëm rreth 4 ditë tek shtëpia buzë Vjosës në Peshtan. Shëtitmë me radhë, Lunxhërinë, Zagorinë dhe deri Dhrovjanin në Sarandë. Donte vetëm fshatra. Nuk lamë njeri pa marrë nëpër gojë që nga Selam Musai e këtej.
Kur u kthyem në Tiranë kishte ndryshuar tërësisht. Por disa javë më pas, ishte rrëzuar papritur në tokë dhe kishte përfunduar në spital. Mjekët kishin konstatuar tumorin. Dita ditës po e humbiste durimin dhe po kuptonte se jeta kishte hyrë në një rrugicë pa kthim.
U përpoqa ti jap shpresë, duke e bindur se pas dimrit se do të udhëtonim sërish dhe do t’i binim borisë, kur të kalonim aty ku prehej Qazimi. Por nuk ia dolëm dot. Ai mbeti udhëtimi i fundit i tij. Tani sa herë do të kaloj përball Turanit duhet ti bie borisë fort që ai ta dëgjoj. Se shpirti i tij prej sonte ikën fshehurazi i lehtësuar nga trupi, nga Tufina për atje buzë Vjosës. /Nga Mero BAZE, publikuar në Facebook/