Në Shkodër, pranë bibliotekës “Marin Barleti” u promovua libri “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” nga Visar Zhiti. Dy fjalë zemre nga perjetimi im tek nigjoja rrëfimin e Visarit për vuajtjet e Spaçit, se di po sytë m’ u mbytën në një stuhi lotësh.
Isha ul në fund të rreshtit, zakonisht nuk e baj por e dija se tema do ma gicilonte shpirtin, plagëve do u’ a çërmonte dregzat që koha nuk i mbylli, e do më kthente në kohë, atje kur isha vajza e babit…
U ktheva në voglëushen me bishtaleca që mbështetej në supin e babit e pyeste pa fund: ça ndodhi? Ça bani gardiani? Si i groposen tek qershia njerëzit e gjallë? Si ishte miniera? Ça kishit ba? Ça asht njiri i lirë? Po armiku i popullit? Lufta e klasave, e tjera si këto që vlonin në kokën time.
Sa dhimbje e madhe për gjithë ato njerëz fisnik që ditët më të bukura të rinisë i kaluan në qelitë e mykuna, të ftohta, pa dritë, pa bukë, pa shpresë…pa liri, njerëz me krah të prerë e andrra që vlojnë ndër deje për një tjetër jetë…
Ky libër vjen si ditar që dëshmon vuajtjet dhe luftën për mbijetes nga ferri i diktaturës.
Duhet me zhbirilua ndër rreshta për me gjetë veten, babën, copëza jete, sepse banorët e Spaçit nuk janë të ndryshëm, ata të gjithë janë të bashkuar nga fati i zi i te qënurit njerëz të lirë, unik, gjeni, fisnik, dritë që zezanët nuk e durojnë, ju verbon arsyen edhe sot si dje. Fati i tyre ishte i njëjtë, i përcaktuar me kalua rrathëve të ferrit.
Me burgos poetin për kangë shpirti, asht kulmi i padrejtësisë njerëzore.
Tash veç suksese mund t’i uroj poetit dhe t’i them faleminderit që na bane pjesë të shpirtit tand, faleminderit që na bane deshmitarë të një vuajtje pafund. Faleminderit që po sjell dëshminë e gjallë për brezat.
Ky libër, këto fletore me shkrim dore duhen lexuar nga të gjithë, për të mos harruar kush ishim, kush jemi… që të mund të shkojmë para me dinjitet. /Nga Mimoza REXHVELAJ/