Absolutisht ishte i mirëpritur jo vetëm në Malësinë e Madhe, në të dy anët e kufirit, por edhe tek të gjitha trevat e tjera shqiptare nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, lajmi i një dite më parë se UNESCO ka shpallur Xhubletën pasuri të përbotshme! Pas kumtit të këtij lajmi nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale “shpërthyen” urimet dhe përgëzimet për këtë arritje të trashëgimisë kulturore shqiptare!
Shqipëria ka të regjistruara në UNESCO si pasuri të përbotshme Gjirokastrën, Beratin, Butrintin, Kodikët e Beratit, Parkun Natyror Ohër – Prespë, Pyjet e Ahut të Gashit, Liqenin e Ohrit, Isopolifoninë dhe së fundi Xhubletën! Pa as më të voglin dyshim që të gjitha këto janë një tregues shumë i rëndësishëm, do të thonim madhor i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe i pasurive natyrore, që UNESCO – institucioni kryesor në botë për vlerësimin e tyre, i ka çertifikuar si pasuri të mbarë njerëzimit!
Por në veçanti Xhubleta ka një rendësi të posaçme, pasi kemi të bëjmë me një dëshmi materiale ekzistence të pastër kulturore 4500 vjeçare! Sipas leximeve që kemi bërë, rezulton se dëshminë kryesore shkencore të ekzistencës së Xhubletës prej 4500 viteve në Malësi të Madhe, e ka administruar dhe ruajtur Beogradi sot e gjithë ditën!!!
Nuk e dimë, a ka bërë ndonjëherë përpjekje administrata e Shtetit Shqiptar që këtë dëshmi, të konfirmuar ne Beograd, ta marrin dhe sjellin në Shqipëri ku e ka vendin! Do të ishte me interes një hulumtim në këtë drejtim, kush ka kushtet ta bëjë! Ajo që unë dua të theksoj në këtë rast është se të posedosh një vlerë trashëgimie identiteti kulturor 4500 vjeçare dhe ta ndash si pasuri me gjithë njerëzimin, siç ndodhi nga data 29 nëntor e vitit 2022 e në vijim me Xhubletën, kjo thotë për shqiptaret më tepër nga ç’thonë vlerat e tjera, që na kishte njohur e çertifikuar më parë UNESCO!
Kemi të bëjmë me dëshmi 4500 vjeçare identiteti të pastër si drita e diellit dhe uji i bjeshkëve, që ka mbërritur e vazhdon të gjallojë në ditët tona! Prandaj dhe është e një rëndësie kardinale! Por këtij lajmi të mirëpritur për Xhubletën, i mungon një tjetër lajm për të cilin Shteti Shqiptar ia ka borxh Malësisë së Madhe prej më shumë se 30 viteve!
I mungon lajmi për ngritjen e një pallati kulture në Malësinë e Madhe! Ministrja e Kulturës, Elva Margariti duhet ta dinë se Malësia e Madhe nuk ka asnjë mjedis publik ku të zhvillojë një aktivitet sado të rëndomtë me frymë kulture! Kjo ministre nuk ka faj për këtë mungesë, por ka përgjegjësinë për ta zgjidhur çështjen e ndërtimit të pallatit të kulturës në Malësi të Madhe, që zvarritet e zvarritet prej mbi tri dekadave!
Pikërisht me lajmin për regjistrimin e Xhubletës në UNESCO, do te dëshironin banorët e Malësisë së Madhe ta shoqëronte Ministrja e Kulturës edhe lajmin për pallatin e kulturës! (Ndoshta Ministrja Margariti nuk e di se në këtë anë mungon një pallat i tillë!). Por ja që mungon dhe për këtë mungesë përgjegjësia në radhë të parë është e të gjithë kryetareve të bashkisë së Malësisë se Madhe (Koplikut), që nga viti 1992 e deri në ditët e sotme, e deputetëve të Malësisë së Madhe që nga viti 1992 e deri në ditët e sotme dhe e prefektëve të Qarkut të Shkodrës që nga viti 1992 e deri në ditët e sotme!
Sa i përket kësaj çështje, të gjithë këta duhet të qëndrojnë kokulur para banorëve të Malësisë së Madhe, në shenje ndjese! E ka shumë gabim kush mendon se Malësia e Madhe është tokë e djegur kulturalisht! Jo dhe jo! Fakti që Malësia e Madhe nuk përfaqësohet zyrtarisht në aktivitete artistike as lokale dhe as kombëtare që nga viti 1995 – hera e fundit në Festivalin Kombëtar të Beratit ku dhe fitoi Çmimin e Parë, është përgjegjësi e madhe e drejtuesve të pushtetit vendor dhe të Prefekturës së Shkodrës në gjithë këtë hapësirë 27 vjeçare (përjashto vetëm takimin e lahutarëve 2 muaj më parë) dhe jo se nuk ka pasur e nuk ka se me çfarë të përfaqësohet!
Përkundrazi ka pasur e ka shumë (por për këtë do të ndalem së afërmi në mënyrë të detajuar). Kësaj radhe e kishim fjalën që, të nxitur nga lajmi i mirëpritur për çertifikimin e Xhubletës nga UNESCO, të kujtojmë se këtij lajmi i duhet shtuar sa më parë të jetë e mundur edhe lajmi për ndërtimin e pallatit të kulturës në Malësi të Madhe! /Nga Musa KURTULAJ, publikuar në Facebook/