Me Dr. Çiljeta Nushin jam njohur nē vitet 80 kur ajo punonte nē ish- spitalin “Jorgji Karamitri”. Me babain e saj Ndoc Nushi, një intelektual dhe ekonomist me shumë përvojē pune, pavarësisht nga diferencat në moshë , kishim njohje jo vetēm si komshinj në Piacen e qytetit por dhe një afrimitet në takimet në Kafen e Madhe apo Lulishten Popullore.
Në shoqerinë e e të ndjerëve Sandër Curri, arsimtar dhe gazetar; Paulin Selimi shkrimtar humorist, nēn trokitjen e gotave të rakisë kalonim orë çlodhje e largim të stresit, nepërmjet humorit, barceletave e diskutimeve për sportin shkodran.
Por Ndoci më së pari ndihej i gëzuar pasi vajza e tij Çiljeta, ishte diplomuar në mjekësi dhe kishte filluar karierën e saj në qytetin e lindjes. Çiljeta për aq vite, nga 1982 deri në vitin1992, pra afër një dhjetëvjeçar sa punoi nē spitalin e Shkodrës, fitoi besimin e pacientëve dhe të kolegëve. E specializuar
për semundjet alergjike ajo punoi përkrah mjekëve të njohur shkodran si Emroda Beli, Agron Agolli, Lek Çuni, Basir Dermani dhe ruan kujtime të pashlyeshme duke përfituar nga përvoja e tyre.
Eksodi i vitit 1992 përfshiu edhe dr. Çiljetën me dy vajzat, Antonetën 9 vjeçe dhe Edith 4 vjeçe, duke fituar të drejtën e specializimit në universitetet mjekësore përtej Adriatikut, duke u vendosur në Firenze. Asnjëherë pa harruar vendlindjen, Shkodrën, shoqërinë dhe miqësinë me bashkëmoshatarët që nga shkolla e mesme dhe universiteti, ajo me një vullnet dhe përkushtim, duke punuar një vit si infermiere, arriti të realizojë ëndrrën e saj, duke dhënë provimet shtesë për tu diplomuar si mjeke e përgjthshme e më vonë duke kryer dhe specializimin në profilin e prefesionit të saj.
Ndërsa vlerëson ndihmën e Prof. Angjelo Padalena nuk mbetet pa i dhënë mirënjohje edhe profesorëve të specializuar në Hardvard të SHBA. Që në hapat e parë të punēs, ajo iu përgjigj me ndihmën e pakursyer edhe bashkatdhetarëve së bashku me kolegët e saj shqiptar si Xhavit Pasholli dhe Pranvera Ohri.
Më ka takue rasti të njihem me 87- vjeçaren Teuta Tërshana, njē grua e persekutuar së bashku me bashkëshortin e saj, e cila nuk kursehet në vlerësimin që Dr. Çiljeta i ka dhënë në përballimin me sukses të frakturave të artikulacioneve koksofemoral (këllku). Por është dhe një lagje përtej spitaleve të zonēs Carexhi, Madonnina del Grappa e banuar nga shumë emigrantë shqiptarë, ku Dr. Çiljeta i është ndodhur gjithjnjë e gatshme për ti dhënë ndihmën e duhur.
Por sa e kënaqur që ka arritur të realizojë ëndrrën e saj, po aq e lumtur është dhe për hyrjen në jetën e pavurur, ku Antoneta pas diplomimit në shkenca poltike në Universitetin e Firenze, punon si juriste në Angli. Po kështu Edith, diplomuar në shkencat juridike, edhe ajo punon në Londër.
Pak muaj më parë Dr. Çiljeta ishte në Tiranë ku festoi 40- vjetorin e diplomimit në Universitetin e Tiranës së bashku me mbi njëqind mjek të ardhur, shumë prej tyre nga SHBA, Holanda, Italia etj. Ishte një rikthim në botën stutendeske, nëpërmjet kujtimeve, ku takoi dhe bashkëqytetarët e saj si Lindita Alia, Dizdari etj., dhe njëkohësisht duke kujtuar me respekt edhe profesorët e nderuar si Nesti Bocka, Hektor Peci, Elsa Kone, Nestor Thereska, Ali Alushani etj.
“U ndjeva shumë e entuziazmuar nga ai takim brezash. Ishte një udhëtim jo i zakonshëm nga udhëtimet drejt Tiranës një herë në vit, por drejtë Shkodrës, vendlindjes, nuk e di pse ndjehem e trishtuar, kur shkeli në rrugën që të afron tek shtëpia ku kam lindur e rritur, nën kujdesin e prindërve të mi të çmuar”, thotē e emocionuar Dr. Çiljeta. /Për ShkodraWeb nga Namik MEHMETI, Firenze, Itali/