Nëse një ditë do të dashurohesh me burrin tim, pa e kërkuar, pa e synuar, por në mënyrën më klasike të dashurisë, që thjesht të ndodh, atëherë dije se do të të kuptoj. Edhe unë për gjithçka që pashë tek ai, u dashurova me vite më parë.
Nëse një ditë do të dashurohesh me burrin tim dhe brenda teje do të lindë xhelozia dhe ndjenja e padrejtësisë, se pse më njohu mua para teje, atëherë do të të kuptoj, sepse ta dish, edhe unë ndihem njësoj se pse të njohu ty pasi më njohu, deshi, e jetoi mua.
Nëse një ditë do të dashurohesh me burrin tim dhe do të qash çdo ditë për tragjedi në të madhe të jetës tënde, atë të të dashuruarit një burri të martuar, atëherë ndalo vetëm pak e mendo; a mos është tragjedia ime më e madhe se e jotja?
Nëse një ditë burri im do të dashurohet pas teje, për inatin tim e për dashurinë tonë që me vite mori forma të ndryshme, ta dish që je moment. Je stimul që i duhet një zemër për t’i dhënë pak impuls një organizmi që funksionon shpesh i lodhur. Por ta dish, nuk do të jesh kurrëorganizma i tij.
Ti që do të dashurohesh një ditë me burrin tim, dije që sot, ta them si gruaja gruas, që kurrë nuk do të jetë vërtet i yt sepse një burrë me gjak shqiptari mund të jetojë një mijë jetë në hipokrizi, se sa një të vetmen të vërtetë.
Kjo do të jetë tragjedia jote e vërtetë. Ndaj si gruaja gruas të them; Meriton më shumë se burrin tim, tonin, e të tjerëve. Sepse në momentin që mendon se e ke, vërtet ja heq gruas së tij por nuk e bën tëndin kurrë. E le ashtu. Të vetëm. As me gruan as me ty.
Nëse një ditë burri im do të dashurohet me ty, thjesht sepse dashuria ndodh, jo për inatin, as për stimul dhe vendos të jetojë në mënyrë të vërtetë jetën e vetme që ka, atëherë qofshit me të lumturit në këtë botë!
Unë nuk do të jem kurrë pengesë ndaj lumturisë së burrit tim. As tëndit. /Nga Neda BALLUKU/