Ngjarja e radhës tragjike e vrasjes barbare e tinzare të minorenit Martin Cani, për familjarët e të cilit lusim Zotin me u dhanë forcën hyjnore me përballue këtë sprovë të kobshme, uroj vërtet të jetë nji moment përgjegjësie me kapërcy tundimin shpjegues dy leksh, të mëlmyem me psikologjizëm kafesh turke apo me marrje përgjegjësish kolektive që “kilikojnë” pezmin emotiv të momentit.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë mos me u thellue në analiza sociologjike për me gjet e minimizue shkaqet që “plehnojnë” këto ndodhi, por me kushtin që të jenë serioze, të bazueme në evidenca të realizimit metafizike e pse jo edhe atij empirik.
Shkaku i parë i parë i vrasjes të Martin Canit nuk jane ato sociologjike me rrjetet sociale e kushtëzimet e tranzicionit apo kapitalizmit alla shqiptarçe por fakti që shumë e njerëz e madje edhe familje janë të orientueme me zell kah e keqja, mbasi kanë refuzue me njoftë të mirën e Zotit dhe ligjeve të tij, të shkrueme në zemrën e njirit. Në momentin që shkulet krijuesi prej shpirtit të njirit e jetës të tij, u hapet rruga kapriçove të papërmbajtshme të instikteve shtazore dhe “kashakitet” çdo ves e poshtërsi. Nji pjesë jo e vogël e shoqnisë shqiptare, ka zgjedh të keqën si vokacion personal.
Rruga e shkurtë me u pasunue e ushqy me çdo kush egon e pa fre narçiziste, tue tejkalue limitet personale e strukturore, sa me e pa të singjashmin e vet me sytë kompetitiv të Kainit, pra, objektivë me u suprimue e jo vlerë me u bashkënda, përton nji kontekst me rezultate të tilla vrastare. Nëse nuk bajmë këtë bonifikim kulturor e shpirtnore të njirit shqiptar, zor se e fitojmë betejën me hordhinë e njerëzve që janë rreshtue në ushtrinë e Luciferrit. Sociologjinë hulmutuese e analizuese duhet ta bajmë ma vone e si duhet. Mos të harrojme me i kujtue në lutje prindt e Martinit. /Nga Nesti ZEFI, pedadog i Juridikut në Universitetin “Luigj Gurakuqi”/