Ben Blushi është drejtues i një media të madhe, sot. Ka qenë gazetar dhe një ndër drejtuesit më profesionistë e kurajoz të gazetës më të madhe shqiptare në këto 30 vitet e pluralizmit, KOHA JONE.
Më pas, si çdo njeri i lirë në këtë botë, ka zgjedhjet e tij. U fut në PS dhe punoi për një të majtë krejt ndryshe nga kjo që sot është kthyer në shërbetore e Rilindjes. Dha dorëheqjen nga shef i grupit parlamentar të PS-së, kur disa deputetë socialistë votuan kandidatin e Berishës si President Republike. Insistoi deri në përplasje me Edi Ramën në PS duke kërkuar rregulla loje të barabarta dhe të gjithëpranuara, ku i kërkoi Ramës që duhet dhënë dorëheqje kur humbet zgjedhjet.
Edi Rama nuk pranoi, kjo tashmë dihet.
Blushi zgjodhi një siglë të re politike, me shpresën se ky popull do hapte sytë e nuk do të ishte militant deri në deje apo me shpresën se nuk do të blihej me një thes miell apo 100 euro votën nga bandat. Dhe dështoi në Tiranë, jo për fajin e tij. Emancipoi politikën, aq sa mundi dhe prej disa vitesh u kthye në media.
Si çdo njeri që mendon se ku mund ta gjejë veten më mirë, edhe ai në media zuri vend, pothuaj përfundimisht. Shkroi libra me shumë se sa tenderat që bëri Rilindja duke vjedhur!
E papritur, ai, pra Ben Blushi, gjendet në një furi shigjetash nga opozita. Në vend që opozita të merret me Edi Ramën dhe ministrat e tij që po shkatërrojnë Shqipërinë, që po vjedhin pa hesap, të cilët po sajojnë çdo ndryshim kushtetues vetëm që ti marrin zgjedhjet në tavolinë; ata, opozita ka drejtuar topat kundër Ben Blushit. E për dreq edhe duke ndihmuar direkt konkurentët e tij mediatikë, të cilët kanë prova që e lenë opozitën në baltë e kalojnë përherë me pushtetet.
Natyrisht që Blushi ka të drejtë ta orientojë median që drejton si e mendon më mirë dhe përkrah apo kritikon forcat politike, të cilat janë linja editoriale e tij.
Edhe unë jam pozicionuar, hapur dhe qartë pro opozitës, sepse nuk dua një pushtet rilindas uzurpues të drejtave dhe lirive, edhe të mijave!
Opozita dhe njerëzit e saj duhet të kenë strategji me zjarr të përqëndruar drejt Rilindjes dhe shefit të qeverisë, pasi çdo spostim shénjëstre veçse sa ç’orienton.
Ben Blushi nuk është përfekt, as përfaqësuesi i Zotit në tokë!
Ai nuk është më as deputet, as ministër; asgjë në shtet. Ka median e tij që ia kanë besuar dhe punon, sipas linjës editoriale që ka miratuar.
Por të merresh me një njeri, që natyrisht ka fuqi të madhe mediatike, dhe ta kthesh në ármik të madh, kur ai nuk të do àrmik, mbetet edhe si taktikë e pazgjuar momentale, aq më tepër kur po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare më të vështirat në këto 30 vite.
Nëse nuk e do, të paktën lëre neutral! /Nga Nikoll LESI/