RTSH Shkodra është në prag të ndryshimit të titullarit. Pjesë e gjigandit shtetëror RTSH, RTSH Shkodra e drejtuar aktualisht nga gazetari Ergys Kavaja, do të drejtohet nga gazetari Jetmir Shpuza, më herët drejtues i këtij institucioni, pjesë e RTSH në Tiranë dhe e gazetës “Koha Jonë”.
Ka qenë vetë drejtori aktual Kavaja, i cili përmes një publikimi në rrjete sociale, njofton se “ndërpritet pa dëshirën time ky bashkëpunim me Radio Televizionin Publik Shqiptar”.
“Nga nje institucion në koma, ta kthej në jetë dhe pikë referimi” – Ky ishte objektivi im që nga dita e parë e punës në RTSH SHKODRA, me 1 Tetor 2021 deri sot, kur ndërpritet pa dëshirën time ky bashkëpunim me Radio Televizionin Publik Shqiptar.
Jam i lumtur që pas më shumë se 15 muajsh, realizuam së bashku me të gjithë stafin shumë arritje :
▶️17 Janar 2022 – Edicionin e parë të lajmeve në Rtsh Shkodra për të vijuar me profesionalizëm duke qënë një zë për Shkodrën !
▶️ Mbi 20 koncerte artistike, që nxorën Rtsh Shkodra në terren duke u kthyer në ekranin e Shkodrës
▶️www.rtsh-shkodra.tv një hapesirë informative online që i bashkon lexuesit në emrin e Shkodrës, pa harruar rrjetet sociale në instagram dhe facebook
▶️ Emisionet “Mirëmengjes Shkodër”, “Debat”, “Studio Sport”, “Shkodra Biznes” – një risi për median në Shkodër, “Prizmus” dhe “Pena e Shkodrës”, hapësira që iu kushtuan një qyteti dhe hapësirave përreth.
Ju jam mirënjohës të gjithëve që punuam sëbashku, ndërkohë që i përulem publikut të Shkodrës që përqafoi atë çfarë i ofruam, me misionin e vetëm që do të ishim ekrani i Shkodrës.
Për mua personalisht kjo ishte një etapë, që do të shërbejë si mësim dhe provë për të vijuar rrugëtimin tim në media! Faleminderit të gjithëve!”, shkruan Ergys Kavaja në publikimin e tij në rrjete sociale. Ndërkohë, mësohet se Jetmir Shpuza është përzgjedhur si drejtor i RTSH Shkodra pas votimit në Këshillin Drejtues të RTSH- së, ku ka marrë 6 vota pro dhe 2 kundër. Brenda pak ditëve, pritet prezantimi i Shpuzës së drejtimin e RTSH Shkodra.