E ndej veten me fatlum që nuk ma “vodhi” kush gjatë udhës përpara se unë ta bëja dhëndër. Ndorja ka qenë bashkëudhëtare jetësore shekullore e shqiptarit. Marash Tuci i pashoq, i papërsëritshëm, ati dhe biri ndores shqiptare! I dashuruar si me askënd tjetër me një barrë të përgjegjësisë artistike me peshë sa Cukalin, Marash Tucin e solla në panteonin letrar që e priste.
Ai vjen pas 215 vitesh i veshur me gjitha petkat që meriton një hero epiko- lirik. Dilni dhe priteni në ketë nate të madhe pajtore, ai erdhi së bashku me fatosat Rac Ula, Bash Vata, Deli Nika dhe Deli Meshi. Marash Tuci sot ka me ju përshendetë me të folmen e kohës së tij, të mbarsur me duhi dramatike.
Sa fort i ngazëllye u ndje sot Luc Brasha, ndërsa Rudina bjeshkatare e mori grykë duke i dhuruar një buqetë lilash tue kujtue dashurinë e motit të shkuar. Marash Tuci vjen si diell mes reve të mugta i ngarkuar si mali me borë me dimra historish dramatike. Marash Tucin e solla sot plot dashuri për dashuruesit e letërsisë.
Ai nuk i përket më Brashtës, as Shoshit por gjithëkohësisë si ndorja martire shqiptare. /Publikuar në Facebook nga Prelë MILANI, shkrimtar/