Jam edukuar në familje qe i vogël për t’i thënë të bardhës- e bardhë dhe të zezës- e zezë. Kam shkruar dhjetëra artikuj ndër vite për gjendjen mjerane të rrugës se Dukagjinit. Sot përshkova unazën në ndërtim e sipër të rrugës që kam ëndërruar ta shoh të asfaltuar. Pashë nga makina zbrita dhe pashë duke prekur dhe u ndjeva entuziast më shumë se kurrë ndonjë udhëtim të mëparshëm.
Së bashku me koleget e mi jo një herë, por disa herë, në çdo vend ku e shëmtuara rreziktare e djeshme ishte zëvendësuar me të mirën e sigurtë të sotme uruam me gjithë zemër: U lumtë Zoti krahët! Gjithë sektori nga Ndërlysa deri në Kodër Shëngjergji, është nusëruar e tjetërsuar sa thua je në tjetër ambient. Po në ata parametra po vijon drejt Pyllit të Shoshit, është shkapërcyer Sheu i Pepajve dhe rruga po shtrinë krahët mbi fshatin Pylaj.
Nuk jam nga ata që dua te reklamoj për hatër as të zotit Kryeministër, as të kryetarit Bashkisë, as firmës punuese që nuk po ja di as emrin. Puna e mirë nuk ka shumë nevojë për fjalë të bukura se shihet vete. Zgjerimi është i bollshëm, shtrimi me aluvione alpine xhixhë, të lara nga lavatriçja natyrë, rulimi dhe rruga tepsi. Uroj të vijohet kështu edhe në fazat e tjera!
Dita e mirë duket në mëngjes. Skeptikët e rrjeteve sociale i ftoj të marrin një Fiat Punto dhe të shkojnë nga Thethi në Kodër Shëngjergji dhe të shohin me sytë e tyre si është sot rruga e Lotajve ku deri dje nuk kalonte as traktori me goma. Sektori Guri Maç- Gështenja e Thaçit i zgjeruar dhe ruluar them se meriton notën nëntë! Karma e Kirit që kurrë nuk duhej të ishte projektuar andej. ka strukturë tepër më të vështirë e diktuar nga relievi me përthyerje maksimale. Ka bazament solid të trasesë dhe skarpatave, duhen rrafshuar sa nuk është vone disa bërryla shkëmbi që krijojnë zigzage të befta, ndërsa me tubacionet kulluese është punuar mirë gjithkund në sektorin e Kirit. Rruga Prekal- Ndërlysa do të dalë më e mirë se Dedaj- Theth.
Por pasha besën, po nuk u asfaltua, shpërlahet dhe del si nuse pa vello, pa duvak. Asfaltimi është rilindja e Alpeve, të cilat duhet të lidhën me Gjakovën si dy krahët me trungun. Asfaltimi nuk bëhet me telekomandë, do kohën e duhur, është vepër jo lehtë me kosto, jo e pa mundshme por e bekuar! /Nga Prelë MILANI, publikuar në Facebook/