Rrallë shumë vë baste dhe një nga arsyet është se e perjetoj keq, adrenalinë e tepërt, emocione të panevojshme, dua të fitoj patjetër… Kurse këtë herë dua ta humbas bastin, pavarësisht bindjes se e fitoj! Sigurisht në qoftë se Armand Duka dëshiron ta mbrojë me një bast simbolik rizgjedhjen e tij, Silvinjon.
Kam qenë kundër punës së Silvinjos gjatë finaleve të Europianit, kundër rikonfirmimit të tij si trajner i Kombëtares dhe jam munduar ta argumentoj për ata që më kanë ndjekur në daljet e mia publike.
E kishim fjalën te basti: Unë them që Armand Duka do ta largojë Silvinjon nga drejtimi i Kombëtares para mbylljes së kontratës. Tani Silvinjo “ka në dorë” të na dhurojë sukses neve, një shteti e populli të vogël. Kështu është shprehur, që ai na i dhuron sukseset. E me këtë rast Duka nuk ka si e largon nga posti. Edhe unë do ti gëzohem suksesit, domethënë do të doja me kënaqësi ta humbas bastin.
Por edhe në rast dështimi të Silvinjos (as po ma ndjen për të, po me këtë rast do ketë dështuar Kombëtarja jonë) Duka mund të mos e largojë, qoftë dhe për inat tim e me këtë rast fiton dhe “bastin” me mua.
Por ja që kam një parandjenjë që do e largojë, domethënë si të thuash zotëria zor se do të ketë argumenta të justifikojë dështimin, po qe se ndodh. Ashtu si proklamonte andej-ketej nëpër media kualifikimin e Kombëtares sonë në Europian si sukses personal të tijin. Seriozisht tani: Lista e re e Kombëtares e sapopublikuar, nuk me duket ogur i mirë. Uroj të jem i gabuar! /Nga Roland LUÇI, trajner dhe ish- sulmues i Vllaznisë dhe Kombëtares, publikuar në Facebook/