Gjimnazi “Jordan Misja” në qytetin e Shkodrës, i themeluar në vitin 1957, ka qenë një prej shkollave më të mira të mesme të përgjithshme në Shqipëri, për kualitetin e mësimdhënies, nivelin e nxenësve të diplomuar por edhe për pergatitjen sportive e aktivitetet kulturore. Në vitet 1960′, 1970′, 1980′ dhe 1990′, në këtë institucion kanë dhënë mësim profësorët më të mirë të shkencave natyrore dhe shoqërore nga e gjithë Shqipëria, në universitetet shqiptare janë regjistruar studentë shumë të mirë që sot janë profesionistë të shkëlqyer, ndërkohë që një brez i parë i spikatur diplomantësh kanë lënë gjurmë të rëndësishme ndër profesione të ndryshme në katër anët e vendit.
Për një seri arsyesh që lidhen kryesisht me emigracionin por jo vetëm, numri i nxënësve në këtë institucion aktualisht ka rënë në përmasa degraduese dhe rrënimtare, që në tregun e konkurrencës së drejte dhe të padrejtë që operon në vend, mund ta çojë atë drejt fshirjes, mbylljes, arshivimit historik, harrimit të një tradite.
Mirëpo Gjimnazi “Jordan Misja” është një “marke” e sistemit arsimor në Shkodër dhe në Shqipëri; ështe marka e arsimit më cilësor në vend; është marka e elitës sportive; është marka e kulturës; është vatra më e hershme ku gëlonte në mënyren e vet liria e brezit të ri nën diktaturë, si askund tjetër në vend.
Me emrin e kësaj shkolle lidhet një titull shumë i mirë i diplomës së shkollës së mesme njohur kudo në sistemin ndërkombëtar dhe një trashëgimi krenare që duhet ruajtuar përmes korrigjimit strukturor.
Jemi në mbyllje të një viti shkollor dhe në prag të regjistrimeve të reja.
Ruajtja e një shkolle, dmth e një tradite edukimi, është çeshtje besimi i prindërve dhe i nxënësve ndaj tij; besimin e sjell profesorati cilësor sidomos në shkencat natyrore dhe serioziteti, largpamësia e drejtimit institucional.
Komuniteti i gjërë që lidhet me emrin e kësaj shkolle, ish- nxënësit, ish- mësuesit dhe drejtuesit e saj, të gjithë janë shumë të interesuar që gjimnazi “Jordan Misja”, jo vetëm të vijojë por edhe të ripërtërihet në mënyrë të studiuar përmes një ndërhyrjeje profesionale nga ana e drejtuesve të arsimit kombëtar.
Ai institucion zamadh i një epoke, nuk mund të jetë kurrë “viktima” e parë e rënies së gjimnazit shtetëror ndër anët tona, për një numër arsyesh që i përmenda më lart dhe të tjera që nuk është vendi ti cek.
Unë i shkruajta këto radhë për të dhënë një alarm, për komunitetin qytetar, për drejtuesit e qytetit të Shkodrës, drejtuesit e arsimit, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, për të marrë në mënyrën më urgjente masat përkatëse për mbajtjen në këmbë të këtij institucioni dhe korrigjimin strukturor dhe profesional të kuadrit. Dhe kur them këtë, nuk nënkuptoj ndërhyrje artificiale për të zgjatur kot së koti një agoni, ose për të hedhur pak ujë në një kënete.
Nënkuptoj një ndërhyrje të mirëmenduar për të sjellë një staf të kualifikuar kryesisht në shkencat natyrore, në informatikë, në gjuhët e huaja; ndërtimin e një bordi besimi të të diplomuarve të kësaj shkolle, për të kryer konsultimet e nevojshme, dhënë përkufizimet mbi rekrutimet e reja, rivendosur drejtimin arsimor mbi profesionalizëm apolitik, ndërlidhjen e institucionit në fjalë me programet ndërkombëtare të ofruara nga partnerët tanë përmes përfaqësive diplomatike në vend, etj. /Nga Romeo GURAKUQI, publikuar në Facebook/