Dy sondazhet e fundit të realizuar nga Euronews dhe Report TV me gjithë koeficentin e marzhit të gabimit, tendencat japin disa mesazhe domethënëse.
1. Radikalizimi i aksionit të PD me gjithë arsyet legjitime të saj mobilizon elektoratin e qëndrueshem dhe bastion por jo atë gri apo skeptik.
2. Mobilizimi i elektoratit të PD shoqërohet me reagim të njejtë të elektorati i PS. Krijohen dy fronte homogjene solide që luftën politike e shikojnë si betejë ose ju ose ne.
3. Strategjitë që prodhojnë radikalizim politik testojnë numrin e mbështetësve të secilës forcë politike ku aspekti historik luan një rol përcaktues. 30 vite tregojnë se e majta ka më shumë elektorat të qëndrueshëm se PD. Kjo e fundit i është dashur më shumë sforca të sigurojë elektorat gri ose të krijojë diversion votash te e majta siç ka bërë në 2005 dhe 2009 me LSI të fitojë zgjedhjet.
4. Strategjitë ku dominon aksioni jo mendimi, dhuna jo fjala, evidenton individ që shquhen vetëm për këtë gjë brenda partive politike dhe shumë nga simpatizantët identifikohen me të por të tillë individ nuk i thonë asgjë elektoratit që nuk e pëlqen dhunën dhe demostrimi fizik në vend të fjalës si rrjedhojë nuk duan te identifikohen me ta.
5. Strategjia e dhunës nuk të jep mundësi të shpalosësh alternativë qeverisëse sepse vëmendja mediatike mbahet vetëm te ngjarjet dhe detaje që lidhen me dhunën. Elektorati gri ka ndryshuar kanalin me kohë.
6. Strategjia e dhunës lë në hije edhe ato pak figura që spikasin për fjalën, argumentin pasi nuk ju vjen natyrshëm ky rol i ri që i dikton partia. Edhe kur janë në studio nuk arrijnë ta justifikojnë me argument atë që zhvillohet si demostrim fjale një ditë përpara.
7. Strategjia e radikalizimit 2017 dhe 2019 ka prodhuar efekte që tashmë PD i njeh mirë. Përsëritja prodhon të njëjtat efekte pasi Rama nuk u bë tani autokrat por ishte vazhdon dhe më shume do jetë me mandatin e katërt.
8. Radikalizimi e mbyll partinë në një bunkier ku deputetët dhe simpatizantët ushqejnë njeri- tjetrin por nuk janë enë komunikuese për grupe sociale që mendojnë ndryshe. Kjo nuk e rrit partinë por e mban në kuota minimale. PD në kufijtë 28% dhe 30 %. Kaq nuk mjaftojnë për të qenë parti fituese.
9. Strategjia e dhunës bën protagonist individ që në kushte normale ku duhet të dominojë fjala, argumenti, arsyeja do të ishin në hije. Dhe kur flasim për periudhë përgatitje listash kandidatësh kjo situatë shikohet si moment i artë për tu shquar akoma më shumë pasi në kushte normale vështirë se do kishte shumë hapësirë dhe vëmendje për ta.
Shkurt, kjo strategji që sjell fryte për liderin suprem dhe individë që nuk shohin të ardhme tjetër përveç PD, e mban PD forcë të parë opozitare dhe qeverinë të sigurt drejt mandatit të katërt. Pra, përjetësia në pushtet e Berishës dhe disa deputetëve shoqërohet me përjetësinë si lider suprem i Ramës me disa të tjerë por me një ndryshim, njëri në opozitë, tjetri në pushtet. Bravo strategët e PD, kanë vizion! /Nga Roland LAMI, publikuar në Facebook/