Prap vranët sot. Grija sikur ia ka ngjye flokët e ajo i përngjet nji shtëllunge tymi të saposhkëputun prej nënbarkut të shkalafitun të autobusit urban, që kalamendet në rrugën e zhurmshme.
Krejt e përhumbun pret në stacion urbanin e zakonshëm. Kollaj mundesh me e krahasue me nji personazh të teatrit të kukllave, teksa ju bindet tekave të duerve që e komandojnë nën fustan. Asnji ide nuk ka për me shprishë monotoninë. Ban të njajtat veprime përditë e tash as i mendon ma gjanat, veç i nënshtrohet tik- takut të stresit kryeqytetas.
Sa bjen muzgu, del nga klinika ku punon, pasi ju ka shërbye pacientëve që ankohen, vuejnë e shfryjnë papra’, dhe pret autobusin për në shpi… Ndoshta i asht ngjitë në lëkurë zbehtësia e të sëmutëve, prandaj nuk din me dallue ma ngjyrat e forta. Padashas, ulë sytë e turbulluem prej lodhjes dhe shifet në pellgun bri bordurës. Gjoksi mezi i dallohet, kurse kofshët thatime zgjaten si kërcunj, pa krijue asnji formë joshëse.
– A thue pellgu m’i shformon tiparet? – pyet me za, pa pritë me marrë përgjigje.
Çon dorën kah flokët e njeshun mbas skalpit, me shpresë se po zbukuron pak atë portret, pasqyrimi i të cilit zgjatet si dama ndër letrat e bixhozit. Nervoze, heq lastikun me të cilin ka lidhë bishtalecin, e krelat i hapërdahen në erë. Zgavrat e hundës pikturohen dreqnisht mbi syprinën mashtruese të pellgut. E trembun prej asaj siluete ngre kryet nalt. Nji trumnajë zogjsh vorbullohet ankthshëm, tue formue kode mbishkrimesh abstrakte.
Te dera e autobusit njerëzit shtyhen e ngjeshen me njeni-tjetrin. Ajo ka fat se turma e mban pezull deri afër dritares, ku shpejton me nxjerrë kryet. Në trotuarin kundruell, teksa shpupurishë gacat, gështenjapjekësi i buzëqesh djallëzisht. Nuk i ven randësi eksitimit të tij, se autobusi niset me turfullimë. Por nuk kalon asnji minut e semafori i kuq e ban me u kryqëzue me gjuhën e nxjerrë të taksistit. Kthen me marifet sytë me pa dritaret e tjera, por ato janë të mbylluna e askush tjetër përveç saj nuk e ka joshë taksistin.
– Ç’ka ka ndodhë sot? – belbë, teksa mollzat i skuqen.
– Ejjj seksi, – merr si përgjigje fishkëllimën e shpërndarësit të picave, që bahet erë me motoçikletë, sapo semafori jeshilon.
Ma në fund duket stacioni e ajo ngutet me dalë. Merr frymë me shpejtësi e fshin për fustan pëllambët që i janë lagshtue. Nuk i ka ndodhë kurrë ma parë me tërhekë vëmendjen e meshkujve keshtu si sot. Kontrollon me marifet mos i asht shpërthy ndonji pull i fustanit, por ai qyqon i vjerrun mbi supet e saj të mrroluna.
Shkapërcen rrugën, tue shpejtue hapat, teksa autobusi zbrazet e rimbushet. Kurioze kthen kryet me pa dritaren ku kishte nxjerrë kryet pak ma parë. Nji modele që reklamon të brendshmet intime i buzëqesh tanë sensualitet prej autobusit kabah. Reklama e ngjitun sa gjanë-gjatë sfidon zhmhurin e lodhun të pasagjerëve. Dritarja e hapun zijon fiks mbi qafën e saj, afër tentenave të tejdukshme që rreken me ba zap’ nji gjoks të bashëm… /Nga Rozafa SHPUZA, publikuar në Facebook/