Nadje herët, kur hijet shtriqen tue xanë nënvedi suva të rrjepuna ngrehinash e kalldrëme të përgjumuna, ndihen të lehunat e nji tufe fisnike qensh. Kërkush nuk rreket me e dallue nëse ky kor të lehunash ka timbër gazmor apo të trishtë, veç gjithkush anon paksa hapat për me i lanë rrugë të lirë tufës.
Fill mbas tufës, ose ma mirë me thanë diku në mes, se qentë sillen sa andej këndej, dallohet mirazhi i nji karroce fëmijësh që shtyhet krejt lehtësisht prej Verës, e cila dirigjon me zell korin e lehjeve.
Mirfilli mendja të shkon se ajo karrocë shkatarraqe ka mbrendë nji bebe, siç ndodh rëndom n’tanë historitë urbane… Por Verës i ka ardhë për shtat që me ngarkue n’të krejt ngrehinën e vet imagjinare të përbame prej teshash të faluna, kanoçesh të mbledhuna ndër kosha plehnash e objekte gjithfarësoj, që nuk kanë asnji farë lidhjeje ndërvedi. Krejt çka i lidh asht fakti se ato janë përzgjedhë prej Verës për me kenë pjesë e pasunisë së saj endacake që rrugton përditë nga njeni cep i pjacës në tjetrin.
Tufa e qenve i bindet me nji përulje absolute, anipse ato merren vesht me sy, teksa marshojnë me nji asimetri unike ndër rrugët e njomuna prej vesës mëngjesore. Ky asht ndër çastet e pakta që Vera ndihet e kënaqun me aftësinë e saj drejtuese, prejse ky rrugëtim i paracaktuem ka nji cak të vetëm…, e caku i Verës asht pozicioni ma strategjik i qytetit, pika ku ndërkallen jehonat e minares dhe kambanat e dy kishave, thirrjet për lutje të të cilave e kanë gjetë mënyrën për me i lanë hapsinën e vet njena-tjetrës.
Fati deshti që ky qytet, i mbimë kithtaz rranzë ujnash kryeneçe, me u thirrë me nji emën grueje, por kërkush s’e pat mendue se grueja që kishte me u ba legjenda ma e re qytetse kishte me kenë Vera. Vera nuk e din këtë fakt, nuk e din as se dikush ka me u rrekë me u marrë me të, ajo din veç me ba hesap, nëse monedhat e hedhuna në prehën kanë me kenë të mjaftueshme për me ia mbushë barkun… prandaj asht tanë sy e vesh për me përcjellë me sy kalimtarëve që kalojnë andejpari.
N’muzg tufa e qejve merr rrugën e kthimit… Ata e dinë përmendësh atë rrugë, porse të lehunat e tyne munden me u dallue qartas se nuk kanë asgja gazmore në timbrin e tyne. Tashma siluetën e Verës e kanë shpërba vijat simetrike të udhëkryqeve e krejt çka dallohet asht veç nji mirazh gri që herë-herë ngjyrohet prej dritave të vitrinave me manekinë cullakë… /Nga Rozafa SHPUZA, publikuar në Facebook, prill 2023/