Kur shkruhet e flitet për Shkodrën përgjithësisht vehet në pah tangerllëku, fodullëku dhe deliri deri në jerm që kanë banorët e saj, të llastuem siç jena prej natyrës dhe pozicionit gjeografik. Por në realpolitikë tangërllekut, fodullëkut dhe delirit deri në jerm fatura i vjen e shtrenjtë.
Ia nisin edhe njëherë retorikës agjitatorët që kanë marrë o rroga, o janë rritë me rroga pushtetesh tuj i dhanë nofka paragjykuese njenit apo tjetrit. Shkodranë ishin edhe Bushatlijtë, edhe Çaushollët e Maxharrët, edhe Musa Juka, edhe Gurakuqi, edhe Sheuqet Muka a Jup Kazazi, edhe Bilal Parruca a Gjovalin Luka, edhe Bahri Beci, edhe Ali Spahia. Me ba dallim shkodranë importi apo shkodranë vendalij në kohen e globalizmit edhe gomerëve do t’iu vinte marre me u zgërdhi. Por përkatesia identitare e kandidatëve nuk asht gjethe mjaftueshëm e madhe fiku për më mshehë plagën e shitblemjes së votës.
Tash 30 vjet që e dojmë Shqipninë si “gjithë Europa”, fenomeni i shitblemjes së votës me një kërkim në Google na ban me qenë në ndonjë kontinent tjetër, imagjinar po të doni, ku komshij kena shtete si Liberia dhe Filipinet. Liberia shtet i themeluem prej skllevënve të plantacioneve amerikane, Filipinet ish-koloni spanjolle.
Mbas gati një dekade kur më 7 nandor 2013 Sokol Olldashi denoncoi publikisht kthimin në sistem të blemjes së votës, tashma publikisht asht pushteti qendror që rreh ashiqare në tavolinë ofertën e “blemjes” përmes investimeve. Për ata pak studjues që do të kenë nge të zbardhin ndonjëgja për këtë qoshe ekzotike të Ballkanit a Mesdheut, denoncimi i para gati 10 vjetëve mund të hyjnë – bashkë me ato (që di) fjalët në legjislativët përkatës të Gurakuqit për vojgurin dhe strehimin e kosovarëve, të Haxhi Hajdarit kundër kolektivizimit, Gilman Bakallit kur deklaroi ç’kishte dëshmue nga kalbja e mbrendshme të PD-së dhe largimin prej grupit të saj parlamentar [ftoj të kujtohen të tjera raste] – ndër rastet kur ka pasë një qëndrim etik mbi politikat e momentit.
Por as fenomeni i shitblemjes së votës s’asht mjaftueshëm ezaurues për me shpjegue “ndryshimin” e pllakës në Shkodër.
Hemorragjia demografike që ndikon drejtëpërdrejtë në polarizimin e moshës së elektoratit në mosha të treta dhe rini, stanjacioni ndër vite që mundësoi dialogu i papjekun ndërinstitucional mes pushtetit qendror e atij lokal dhe – e fundit, por me siguri ma e randësishmja – marrja për të mirëqenë (taken for granted) që opozita u ka ba shkodranëve.
Qendër e natyrshme gjeografike e rajonit që e rrethon, u la me u kënetizue pavarësisht se kush e pati pushtetin qendror apo atë lokal, u la e pistë, ajrin e ka për çudi të ndotun nga djegiet e plehnave edhe pse ka një liqê të tanë si mushkni. Komshijtë veriorë hem se i mësoi Titoja edhe pse ishin fundi i kavallit dhe dembelët për antonomazi të ish- Jugosllavisë, hem se edhe atë që ua mësoi Titoja nuk e hodhën si ujin e govatës bashkë me foshnjën, me një popullsi sa ç’ka e gjithë Tirana, kanë një organizim, pastërti dhe pjekuni të lakmueshme.
Kurse Shkodra, ku “e djathta” bani konak tana këto tre dekada, prej ngesë së teprueme, prej gjumit të zhegut, vetëm sa u zhyt në kllapinë e mbijetesës me rudimentet e veta mikroborgjeze.
Paj, e tillë siç asht, me një shtresë dhe moshë të mesme që o i ka valixhet gati, o matet me i mbushë, diftoi se s’asht kurrë vonë me ndryshue kurs, ashtu si anijet e vjetra që me zor u jepet ndonjë drejtim tjetër. Po shofim tashti se mos kapiteni i ri i anijes që dialekti i ka ndryshue prej jetesës në Tiranë, ka hala ndonjë refleks ulqinak dhe e ban të paktën “lake-worthy”, meqë “sea-worthy” asht hala heret. /Nga Sait SAITI, publikuar në Facebook/